“Duhet ndërhyrë”/ Rama: Qeveria do jetë pjesë në importin e naftës. Vendosim një çmim të ri…

Gjatë takimit me fermerët ditën e parë të konsultave me ta dhe më sipërmarrës në bujqësi, kryeministri Rama lajmëroi se qeveria po përgatitet për të ndërtuar një proces të ri në skemën e naftës në vendin tonë.
Sipas Ramës, qeveria do jetë pjesë në importin dhe në shpërndarjen e naftës në vend së bashku me aktorë të tjerë.
Sakaq, Rama shtoi se kjo ndërhyrje do bëjë të mundur që të ketë një çmim nafte më të arsyeshëm dhe ekuilibrues për konsumatorët.
“Duhet ta rishikojmë skemën e naftës. Ne po përgatitemi që të ndërhyjmë në sektorin e naftës. Në kuptimin e asaj që thashë më parë, qeveria do jetë aktive në krijimin e kushteve, skemave në bashkëpunimin me sipërmarrjen dhe faktorin ekonomik për të rritur të ardhurat e njerëzve. Duhet të ndërtojmë një proces të ri, ku qeveria do jetë pjesë forcave në sektorin e naftës. Ne duam të ndërhyjmë për të vendosur një ekuilibër të ri çmimi për konsumatorët. Kjo është diçka që e kemi studiuar për një kohë të gjatë. Brenda vitit do jemi pjesë si qeveri në importin e naftës dhe në shpërndarjen e naftës në bashkëpunim me aktorët e tjerë. Do kenë qeverinë si garantë të importit dhe furnizimit me naftë. Do na vërë në pozitën ku mund të përcaktojmë një çmim më të arsyeshëm se çmimi aktual i naftës në Shqipëri. Tani ka ardhur koha të veprojmë në një mënyrë tjetër. Do jetë e mirë e madhe. Duhet të mendojmë dhe për uljen e kostove. Duhet të jemi inovativ. Nuk jemi sot në kushtet kur shfrytëzojmë edhe mbetjet e punës në bujqësi për të përfituar përmes riciklimit”, tha Rama.