Trump ndaloi sulmin e Serbisë ndaj Kosovës? Osmani: Ndodhi së fundmi…

Më 26 qershor, në një konferencë pas Samitit të NATOS, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump bëri një deklaratë të fortë, teksa tha se kishte parandaluar një përplasje të armatosur mes Serbisë dhe Kosovës.
Siç linte presidenti Trump të nënkuptohej, bëhet fjalë për një sulm që Serbia po planifikonte ta bënte ndaj Kosovës. Në një paraqitje nga Dhoma Ovale, Trump ka treguar se kishte thirrur dikë në Serbi dhe e kishte kërcënuar me ndërprerje të raporteve tregtare, nëse diçka e tillë do të ndodhte.
Megjithatë konteksti kohor për këtë sulm të Serbisë ndaj Kosovës mbetej i paqartë, meqë Trump ka qenë president edhe katër vite gjatë mandatit të parë. Këto deklarime të Trump për rrezikun që Serbia ta sulmojë Kosovën janë konfirmuar edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo ka sqaruar se bëhet fjalë për një “shpërthim të mundshëm” që presidenti Trump e ka ndaluar dhe se bëhet fjalë për diçka të “javëve të fundit” dhe jo të vitit 2023 apo më herët. Osmani ka thënë se ka informacione mjaft të besueshme për këtë, nga shkëmbimet e përditshme që ka dhe se rreziku vazhdon të jetë ende aktiv.
“Presidenti Trump e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm së fundi. S’po flasim për vitin 2023 apo 2020. Po flasim për zhvillimet shumë të fundit. Por KFOR-i është aty dhe ne po bëjmë punë të mrekullueshme në parandalim e mbrojtje”, ka thënë Osmani.
Ndonëse Osmani ka deklaruar se ka informacione për diçka të tillë, ndryshe ëhstë situata me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. I pyetur për deklaratat e Trump për rrezikun e një sulmi nga Serbia, Kurti ka thënë se Kosova nuk i ka informacionet e SHBA-së dhe ka thënë se e falenderon Amerikën nëse kanë mundur të veprojnë kundër synimeve të tilla të Serbisë.
“Nuk mund t’i di planet që i kanë, nuk i kam informacionet e tyre, me siguri SHBA në përgjithësi kanë më shumë informacion se çfarë synimesh operacionale ka pasur Serbia dhe mund të kenë vepruar kundër tyre, faleminderit shumë. Ne jemi shumë mirënjohës për rolin e SHBA-ve, por ato informacione që i kanë ata se çfarë kanë bërë si plan konkret operacionale kundër Kosovës Serbia, mbase ne nuk e dimë është e pritshme që nuk i dimë. Mbase organet tona bashkëpunojnë me ato të SHBA-ve, dhe një ditë edhe ne mund t’i kemi ato informacione, por aktualisht nuk i posedojmë ato”, ka thënë Kurti më 2 korrik.