Gjashtë kërkesat e Tedi Blushit për shtetin, i vendos afat 10 ditë: Pse pallatet pa leje në Tiranë nuk janë shembur?

Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u është drejtuar përmes një shkrese disa institucioneve në vendin tonë, përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës, lidhur me nisjen e aksionit për shembjen e ndërtesave pa leje.

Në kuadër të së drejtës kushtetuese dhe ligjore për informim mbi veprimtarinë e institucioneve publike, si dhe në interes të transparencës dhe përgjegjshmërisë publike, nisur nga shembjet e ndërtesave në Theth të cilat Blushi i konsideron si “selektive”, ka kërkuar që brenda 10 ditëve katër institucionet; Bashkia Tiranë; Agjencia Shtetërore e Kadastrës; Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, t’i kthejnë përgjigje për gjashtë pyetjet.

Kërkesat e Blushit për institucionet:

1. Lista e ndërtimeve pa leje në territorin e Bashkisë Tiranë

Të dhënat mbi të gjitha ndërtesat që janë konstatuar si ndërtim pa leje gjatë periudhës 2013–2025.

Për çdo rast, të jepet: vendndodhja, subjekti ndërtues (nëse është identifikuar), numri i kateve, masat e marra ose jo.

2. Të dhëna mbi legalizimet e ndërtimeve pa leje në Bashkinë Tiranë të klasifikuara si “të mëdha” (mbi 4 kate)

Lista e subjekteve që kanë përfituar legalizim për objekte të paligjshme shumëkatëshe.

Data e kërkesës për legalizim, data e vendimit dhe institucioni që e ka miratuar.

3. Lista e lejeve ndërtimore të dhëna në Bashkinë Tiranë pa verifikim të burimit financiar

Emrat e subjekteve ndërtuese që kanë përfituar leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë ose KKT gjatë periudhës 2013–2025.

Dokumentacioni i dorëzuar nga këto subjekte për të provuar burimin e financimit dhe origjinën e kapitalit.

4. Masat e marra ndaj zyrtarëve që kanë heshtur apo favorizuar ndërtimet pa leje në Bashkinë e Tiranës

Lista e procedimeve disiplinore apo penale, nëse ka, ndaj zyrtarëve të urbanistikës, IKMT-së apo Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për mosveprim ose bashkëpunim në ndërtim të paligjshëm.

Emrat e inspektorëve apo drejtuesve të institucioneve që janë hetuar apo pezulluar nga detyra për shkelje të ligjit.

5. Raport mbi prishjet selektive të objekteve pa leje në Bashkinë e Tiranës

Lista e ndërtimeve të prishura me vendim të IKMT-së apo Bashkisë Tiranë gjatë 12 viteve të fundit.

Kriteret që janë ndjekur për të zgjedhur objektet për shembje.

Arsyet përse nuk janë shembur objektet shumëkatëshe të ndërtuara pa leje në zona të njohura si Sheshi “Skënderbej”, Farka, Astiri, Komuna e Parisit, etj.

6. Përse pallatet pa leje në Bashkinë e Tiranës nuk janë shembur, ndërsa ndërtimet pa leje në Theth po?

Back to top button
LAJMET E FUNDIT