Trump këmbëngul sërish, merr prapë merita si ”arkitekt i paqes”: Ja si e ndalova luftën Kosovë-Serbi

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka rikthyer në vëmendje tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se arriti në kohë të parandalonte një luftë të mundshme në rajon.
Gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump deklaroi se kishte përdorur ndikimin ekonomik për të ndalur përshkallëzimin mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Serbi-Kosovë e zgjidhëm atë. Ishte një çështje që do të ndodhte. Dhe përsëri, ishte diçka që unë e përdora. E përdora tregtinë për shumë gjëra, por është shumë efektive për zgjidhjen e luftërave. Ishte me të vërtetë shumë e rëndësishme,” tha Trump.
Trump këmbënguli se Serbia kishte qenë pranë një sulmi ndaj Kosovës dhe se ndërhyrja e tij kishte ndalur një përplasje të armatosur. Këto deklarata janë në linjë me qëndrimet e mëhershme të tij për rajonin.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar pak ditë më parë se administrata Trump kishte ndihmuar në shmangien e një përshkallëzimi të mundshëm të sigurisë në Kosovë.