Legalizimi i ndërtimeve pa leje, Edi Rama paralajmëron “ndëshkim” edhe për Kadastrën: Çmenduri, do të përballen me ligjin ata që i kanë firmosur

Kryeministri Edi Rama, ka njoftuar pasditen e kësaj të mërkure reformën e re që qeveria do të miratojë me qëllim kontrollin e territorit.
Në llogarinë e tij në “Facebook”, kreu i qeverisë ka publikuar shtesën e një lokali e cila është legalizuar në hapësirë publike.
Sipas kryeministri kjo është një “çmenduri” dhe paralajmëroi se të gjitha legalizimet e lejeve të tilla do të anulohen e madje do të herë hetim edhe për punonjësit e Kadastrës që kanë zbatuar akte të tilla.
“Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anuluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona”, shkruan Rama.