“Tërmeti” vazhdon në Vlorë! Të tjera DORËHEQJE vijnë nga Bashkia e Ermal Dredhës, nis puna për zëvendësuesit

Vala e “nxehtë” në Vlorë është duke vijuar! Burime për mediat bëjnë me dije se në bashkinë e qytetit bregdetar, nga aty ku dhe filloi aksioni “fshesë” i kryeministrit Edi Rama, dorëheqjen janë duke vazhduar.

Pas dorëheqjes së drejtorëve të institucioneve në varësi të Bashkisë, si dhe atyre në varësi të ministrive të linjës, së fundmi kanë lënë postin e tyre edhe kryetarët e 5 rajoneve të qytetit, por dhe 4 administratorët e njësive administrative.

Të parët që kanë dhënë dorëheqjen kanë qenë kryetarët e rajoneve në Vlorë dhe më pas kryetarët e njësive administrative.

Letrat e dorëheqjes janë lënë në tavolinën e kryebashkiakut Ermal Dredha, i cili mësohet se i ka pranuar, madje ka nisur punën për zëvendësimin e tyre.

Ndërkohë që vlen të theksohet se deri më tani, në një kohë kur kjo bashki është “shkundur nga themelet” nuk kemi një dorëheqje të nënkryetarëve të Bashkisë.

Mëngjesin e 3 korrikut, kryeministri Edi Rama “zbarkoi” në bashkinë e qytetit bregdetar ku dhe u vendosi ultimatum drejtorëve të Dredhës për të lënë postet e tyre.

Gjithashtu, po me kërkesë të kreut të Qeverisë u ngritën dy grupe pune me qëllim për të çuar përpara procesin e reformimit dhe analizës së thelluar në nivel vendor. Grupi i parë është i përbërë nga Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu dhe ka në fokus analizimin dhe vlerësimin e performancës së drejtuesve rajonalë.

Sipas kryeministrit, të gjitha ata drejtues të cilët nuk kanë kryer detyrën ashtu si dhe duhet, duhet të japin dorëheqjen, ndërkohë që zëvendësuesit e tyre duhet të kalojnë një periudhë prove tre-mujore për të vërtetuar aftësitë e tyre.

Ndërsa, grupi i dytë përbëhet nga Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi të cilët po merren me analizimin e emrave të mundshëm për postet e drejtorëve në Bashkinë e Vlorës.

Gjithashtu, në këtë mbledhje u vendos që Klevis Kaso të jetë në krye të Partisë Socialiste në Vlorë, ndërsa bashkëkryetare me të Erjona Ismaili. Nga ky post, u largua deputetja socialiste Vilma Bello.

Pas kësaj vizite të Ramës e njëjta “skemë” ka vazhduar edhe në bashkitë e tjera të Shqipërisë, ku me urdhër të kryeministrit të gjithë drejtorët dhe kryetarët e njësive administrative, një për një, kanë dhënë dorëheqjet.

Gjithashtu, në vazhdën e këtyre aksioneve, është ndërmarrë dhe çlirimin i hapësirave publike të cilat janë zaptuar në kundërshtim me ligjin nga bizneset në të gjithë vendin, jo vetëm në Vlorë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT