Kandidatja e Lapajt “zotohet” se do marrë mandatin e deputetes! Pas dajos së Shabanit, Kleana Xhuveli letër KQZ-së: Do të vazhdoj angazhimin tim publik

Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” firmosur mes Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabanit, tashmë është prishur pas përplasjeve virtuale të dy “miqve” pas pretendimeve të dajos së këtij të fundit, Zeqir Kordhoni, për të qenë pjesë e legjislaturës së shtatorit.
Pas Kordhonit, i cili nuk dëshiron të japë dorëheqjen nga kandidimi për deputet, duke djegur kështu kërkesën e dorëheqjes të dorëzuar me dakortësi të palëve në KQZ, një tjetër kandidate nga Shqipëria Bëhet e Lapajat, ka kërkuar të tërheqë dorëheqjen.
Bëhet fjalë për Kleana Xhuvelin, e cila është e 4-ta në listën e mbyllur të qarkut Tiranë, ku me një letër zyrtare i është drejtuar Komisionit Qendror Zgjedhor duke kërkuar të revokojë dorëheqjen nga kandidimi për mandatin parlamentar.
Kujtojmë që koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” duke qenë se që prej fillimit ishin kundër “listave të sigurta” vendosën që në zgjedhjet e 11 Majit të shkonin në “listën e mbyllur” me emra kandidatësh fiktivë, të cilët më pas me dakortësinë e palëve do të digjnin mandatin, në mënyrë që në Kuvend të futen kandidatët që morën më tepër vota nga lista e hapur.
Letra e Kleana Xhuvelit drejtuar KQZ-së:
DREJTUAR: Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
LENDA: Revokim i dorëheqjes nga kandidimi për mandatin parlamentar
Të nderuar,
Në vijim të kërkesës sime të mëparshme për dorëheqje nga kandidimi për deputete në Kuvendin e Shqipërisë, për Zgjedhjet Parlamentare të 11 maj 2025, ju informoj se kam vendosur të revokoj dorëheqjen e paraqitur më datë 1/05/2025.
Ky vendim vjen pas një rishqyrtimi të plotë të rrethanave dhe një konsultimi të gjerë me mbështetësit, familjen dhe strukturat e angazhimit tim politik. Kam bindjen se mund të vazhdoj angazhimin tim publik me përkushtim dhe përgjegjësi të plotë.
Ju lutem që kjo kërkesë për revokim të merret në konsideratë dhe të ndiqen procedurat përkatëse në përputhje me legjislacionin zgjedhor në fuqi.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.
Me respekt,
Kleana Xhuveli
“Nisma Shqipëria Bëhet” ka fituar vetëm një mandat në qarkun e Tiranës, dhe pas dakortësisë, mandati u tha se do i kalonte Adriatik Lapajt. Mirëpo pas daljes në skenë të Zeqir Kordhonit, kreu i “Shqipëria Bëhet” rrezikon të ngelë jashtë parlamenti, por përsëri Kordhoni nuk mund të fitojë mandatin pasi është në radhët e fundit të listës.
Fiktivisht mandati është fituar nga 60-vjeçarja Ana Dajko, e cila është tezja e Lapajt, pasi kryeson listën e mbyllur të Tiranës. Pas saj në renditje vjen bashkëshortja e Endrit Shabanit, Livia Stavri, e cila ka një shans për të fituar mandatin vetëm nëse Dajko dorëhiqet.