“Lufta” për karrigen e deputetit, Aritatik Lapaj LETËR KQZ-së: “Lista e mbyllur” u dorëhoq nga kandidimi, s’mund të kërkojnë tani mandat!

Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i është drejtuar Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), me një shkresë zyrtare ku kërkon cilësimin e pavlefshmërisë së kërkesave për dorëheqje nga kandidimi të kandidatëve të listave të mbyllura të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, firmosur mes Lapajt dhe Endrit Shabanit.

Kujtojmë që koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” duke qenë se që prej fillimit ishin kundër “listave të sigurta” vendosën që në zgjedhjet e 11 Majit të shkonin në “listën e mbyllur” me emra kandidatësh fiktivë, të cilët më pas me dakortësinë e palëve do të digjnin mandatin, në mënyrë që në Kuvend të futen kandidatët që morën më tepër vota nga lista e hapur.

Lapaj arsyeton kërkesën e tij duke theksuar se “kandidatët e listës së mbyllur për këtë qark kanë paraqitur dorëheqjen nga kandidimi, përpara nisjes së procesit të numërimit të votave. Kjo është një dorëheqje nga kandidimi, jo nga mandati, pasi mandati në këtë fazë nuk ekzistonte ende dhe nuk mund të heqësh dorë nga një ngjarje e së ardhmes”.

Shkresa që Adriatik Lapaj i ka dërguar KQZ-së vjen pas reagimit të Zeqir Kordhonit, daja i Endrit Shabanit, i cili kërkon që të tërheqë dorëheqjen e firmosur me dakortësi dhe t’i rikthehet kandidaturës duke pretenduar kështu mandatin e deputetit.

Ndërkohë, ditën e sotme një tjetër kandidate e partisë “Shqipëria Bëhet”, Kleana Xhuveli, kërkoi revokim të dorëheqjes nga kandidimi.

Letra dërguar KQZ-së:

I nderuar z. Komisioner,

Nisma “Shqipëria Bëhet”, me Vendimin nr. 237, datë 04.03.2025, është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si koalicion për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025, me z. Adriatik Lapaj në cilësinë e drejtuesit të koalicionit.

Ky koalicion ka marrë 16,520 vota në Qarkun Tiranë, duke fituar një (1) mandat përfaqësimi. Ju bëjmë me dije se kandidatët e listës së mbyllur për këtë qark kanë paraqitur dorëheqjen nga kandidimi, përpara nisjes së procesit të numërimit të votave. Kjo është një dorëheqje nga kandidimi, jo nga mandati, pasi mandati në këtë fazë nuk ekzistonte ende dhe nuk mund të heqësh dorë nga një ngjarje e së ardhmes.

Çdo ndryshim i mëvonshëm i qëndrimit nga ana e këtyre kandidatëve është i pavlefshëm në aspektin juridik dhe nuk prodhon pasoja, pasi vlefshmërinë e ka vetëm akti i parë – dorëheqja nga kandidimi.

Në kuptimin juridik, dorëheqja sjell pasoja të menjëhershme në momentin e paraqitjes së saj. Në kontekstin elektoral, dorëheqja nga kandidimi është një akt përfundimtar dhe i pakthyeshëm, që përjashton kandidatin nga çdo e drejtë për të marrë mandat. Duke u tërhequr nga kandidimi, ata nuk kanë qenë më subjekt garues për zgjedhjet e 11 majit 2025. Në këtë mënyrë, e kanë përjashtuar veten nga lista zgjedhore, dhe veprimi i tyre nuk mund të zhbëhet më pas me asnjë deklaratë të mëvonshme, pasi nuk kanë qenë më pjesë e garës zgjedhore.

Në kushtet kur kemi të bëjmë me një heqje dorë nga kandidimi dhe jo me dorëheqje nga mandati, ligji kërkon që mandati të kalojë tek kandidati pasues në listë, në përputhje me rregullat për zëvendësimin e mandateve. Për këtë arsye, kërkojmë që të procedohet me shpërndarjen e mandatit të fituar në Qarkun Tiranë, sipas listës përkatëse të hapur.

Adriatik Lapaj është kryesuesi i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Pas fitimit të mandatit në qarkun e Tiranës, palët u shprehën se mandati do t’i kalojë Lapajt, por reagimi i Kordhonit rrezikoi vendin e juristit në Kuvend, por përsëri Kordhoni nuk mund të fitojë mandatin pasi është në radhët e fundit të listës.

Fiktivisht mandati është fituar nga 60-vjeçarja Ana Dajko, e cila është tezja e Lapajt, pasi kryeson listën e mbyllur të Tiranës. Pas saj në renditje vjen bashkëshortja e Endrit Shabanit, Livia Stavri, e cila ka një shans për të fituar mandatin vetëm nëse Dajko dorëhiqet.

“Lufta” për karrigen e deputetit, Aritatik Lapaj LETËR

Back to top button
LAJMET E FUNDIT