Vijon sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë! Në vetëm 6 ditë “bllokohen” mbi 32 ton

Përgjatë gjashtë ditëve të fundit është bërë i mundur sekuestrimi i 32 ton qumësht, bulmet dhe mish që shiteshin pa faturë.
Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, i cili në llogarinë e tij në “Facebook” ka publikuar pamje nga aksionet e fundit të inspetorëve tatimorë në tregje të ndryshme të vendit.
“Vijon papushim sekuestrimi i qumështit, bulmetrave dhe mishit pa faturë! Deri në fund”, shkruan Rama.
Kryeministri Edi Rama një javë më parë vendosi ultimatum se asnjë produkt si qumështi, bulmetet dhe mishi nuk do të shiten pa faturë.
Ky aksion sipas kreut të qeverisë vjen me qëllim garantimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe gjurmimin e plotë të dokumentacionit fiskal, të produkteve blegtorale.
“Drejtoria e Tatimeve është angazhuar për të sensibilizuar ata që tregtojnë qumësht dhe bulmet pa faturë që të mos e bëjnë më këtë gjë më, sepse nga java e ardhmes do të konfiskohet çdo shishe qumështi dhe bulmeti pa faturë, është e patolerueshme në pikëpamje të ligjit tatimor është edhe e rrezikshme në këtë fazë të vitit dhe me këto temperatura të larta, sepse mund të shkaktojë helmime që mund të evitohen.
Nga e hëna e ardhshme nuk kemi më paralajmërime për vetëm sekuestrime në dyqane dhe në tregje“, tha Rama.