A do kalojë mandati në familjen e Endri Shabanit? Reagon djali i Ana Dajkos, “shpresa e fundit” e Adriatik Lapajt

“Harmonia” mes dy ish-partnerëve në zgjedhjet e 11 Majit, Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit është prishur. Kjo pas kërkesës së dajës së këtij të fundit, Zeqir Kordhoni, i cili kërkoi mandatin e deputetit dhe u shpreh se në momentin që firmosi dorëheqjen nga kandidimi i tij fiktiv në zgjedhjet parlamentare nuk ishte në dijeni se çfarë po bënte.
Ky “ngërç” mes kreut të Nismës Thurrje dhe atij të Lëvizjes Shqipëria Bëhet është duke vijuar dhe të gjitha shpresat e Adriatik Lapajt janë pikërisht te kandidatja e parë në listën e mbyllur, zonja Ana Dajko.
E teksa nga kjo e fundit deri më tani nuk ka një reagim zyrtar, se çfarë do të bëjë me mandatin e deputetit, ka qenë djali i saj i cili ka reaguar për Euronews Albania.
Teksa ka shprehur keqardhje për këtë situatë të krijuar ai ka theksuar se mandati i takon Adriatik Lapajt dhe se nëna e tij do të veprojë ashtu si dhe Kryesia e “Lëvizjes Shqipëria Bëhet” do të vendosë.
“Mandati i koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ i takon zotit Adriatik Lapaj dhe Lëvizjes Shqipëria Bëhet, si më i votuari në listën zgjedhore. Ime më, Ana Dajko, ashtu si 45 kandidatë të tjerë në listën e mbyllur, ka dhënë dorëheqjen nga kandidimi përpara shpalljes së rezultateve. Pas zhvillimeve të fundit, çdo vendim i mëtejshëm i takon kryesisë së Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’,” u shpreh ai.
60-vjeçarja Ana Dajko është nëna e anëtarit të kryesisë së “Lëvizjes Shqipëria Bëhet”, Vasil Dajko si dhe rezulton të jetë edhe kushërira e Lapajt. Ajo ka kryer arsimin e mesëm, ndërkohë që është e vetëpunësuar.
Siç dhe raportuam më herët në rast se Shabani dhe Lapaj nuk gjejnë një rrugëzgjidhje mes tyre, atëhere zonja Dajko do të pranojë mandatin, me qëllim që ai mos t’i kalojë partneres së Endri Shabanit, Livia Stravi e cila është e dyta në listë.