“Nga satelitët tek dronët”, Gazment Bardhi risjell VIDEON e 2022-it: Rama ka ndryshuar mjetin për kontrollin e territorit! U shkeli syrin njerëzve për t’u marrë votën

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka risjellë në vëmendje një video nga viti 2022 ku kryeministri Edi Rama deklaroi lançimin e satelitëve në hapësirë me qëllim mbikqyrjen në kohë reale të territorit.
Bardhi e ka krahasuar videon në fjalë me zhvillimet e fundit në vend lidhur me aksionin kombëtar të qeverisë për lirimin e hapësirave publike. Në status, deputeti i PD-së shkruan se kjo është një farsë me qëllim justifikimin e aferave dhe mashtrimin e qytetarëve.
Reagimi i Gazment Bardhit:
Edi Rama dje dhe sot, nga satelitët fantazëm tek dronët luftarakë!
Ajo që nuk ndryshon prej 12 vitesh është epoka e mashtrimit të shqiptarëve nga Edi Rama. I njëjti mashtrim në 2022, i njëjti mashtrim edhe sot. Ndryshon vetëm “mjeti”: nga satelitët kemi kaluar tek dronët!
E gjitha për të justifikuar aferën e radhës, para të taksapaguesve që jepen për qokë personale dhe që nuk shërbejnë për asgjë! E vërteta e kontrollit të territorit është që njerëzve u shkelet syri para zgjedhjeve për t’u marrë votën, pastaj shpërthejnë “muçërit” dhe u marrin shpirtin dhe kursimet e jetës.
Për pasojë paligjshmëria nuk buron nga njerëzit. Një qeveri që u shkel syrin njerëzve për të shkelur pak ligjin në këmbim të votës nuk e zgjidh problemin as me satelitë fantazëm, as me dronë imagjinarë. Problemi është vetë Edi Rama!