Fieraku prej pesë vitesh “pronari” i tokës, i kishte vënë traun hapësirës publike! IMT dhe Bashkia i “zbarkojnë” me urgjencë

Zv.kryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka sjellë pamje nga qyteti i Fierit ku disa persona janë bërë “pronarë” të një hapësire publike e cila duhet të jetë për të gjithë qytetarët, pa paguar kosto extra.

Në llogarinë e saj në “Facebook”, Balluku ka postuar fotot nga një lagje ne qendër të Fierit, ku hapësirën e krijuar mes tre pallateve, “dikush”  prej pesë vitesh është duke e mbajtur peng dhe ka vendosur që ta përdorë atë si biznes privat.

Duke paralajmëruar se IMT dhe punonjësit e Bashkisë së Fierit do të “zbarkojnë” urgjentisht me qëllim t’ia kthejnë këtë hapësirë qytetarëve, zv.kryeministrja u bën thirrje këtyre të fundit që të denoncojnë çdo rast të tillë.

“Këto pamje janë nga një lagje në qendër të Fierit. Një shesh i krijuar nga tre pallate i cili prej 5 vitesh mbahet peng nga dikush që ka vendosur ta përdorë atë si biznes privat . Nga pamjet që duken, tabelat tregojnë që ky është një parkim privat ku merren para nga hapësirat publike.

 Vetëm pas pak minutash bashkia e Fierit dhe të gjithë punonjësit e mbrojtjes së territorit do të jenë atje për të çliruar çdo hapësirë . Na informoni për të tilla raste të ngjashme kudo në bashkitë e qarkut të Fierit”, shkruan Balluku.

Kujtojmë se prej javësh Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në funksionim të ngushtë me punonjësit e bashkive përkatëse kanë ndërmarrë një aksion me qëllim çlirimin e hapësirave publike të cilat janë zaptuar nga individë të caktuar në kundërshtim me ligjin dhe për përfitim monetar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT