E mërkura që hapi katër dyer morti në vendin tonë, 4 viktima dhe 7 të plagosur nga aksidentet rrugore brenda pak orëve (NGJARJET)

Katër viktima dhe shtatë të plagosur. Ky është bilanci tragjik i aksidenteve rrugore në këtë të mërkurë të ‘zezë’ që ka hapur katër dyer morti në vendin tonë. Newsbomb.al ka bërë një përmbledhje të detajuar të këtyre ngjarjeve rrugore të cilat janë shënuar brenda pak orëve.
Burhan Gjoka dhe Destan Gjeta janë dy viktimat e aksidentit që rezultoi fatal në Qafën e Buallit ndërsa i plagosur mbeti dhe një person tjetër me inicialet A.Gj. Personat në fjalë po ktheheshin nga miniera, por tragjedia ndodhi.
Në Luzni të Dibrës, Arta Çera u përplas me makinë për vdekje nga bashkëshorti i saj në oborrin e shtëpisë. Ngjarja ishte aksidentale ndërsa Hajri Çera ka përfunduar në dyert e komisariatit.
Një tjetër ngjarje tragjike ndodhi në Qerekë të Krujës ku një vajzë e vogël 4-vjeçare u përplas për vdekje nga babai i saj, i cili nga pakujdesia shtypi të miturën në ambientet e një biznesi.
Jo vetëm kaq. Një çift bashkëshortësh u plagosën në Korçë pasi automjeti me të cilin udhëtonin u përmbys në rrugë.
Ndërsa dy të tjera kanë mbetur të plagosur pranë stadiumit në qytetin e Elbasanit. Policia Rrugore ka dhënë informacione për aksidentet në fjalë duke bërë me dije se grupet hetimore po punojnë për zbardhjen e tyre./Newsbomb.al/