“Nuk ke pasur asnjëherë gjë në dorë”, Shabani “i pakënaqur” me vendimin e KQZ, replika me Vasil Dajkon: Mandati i takonte kandidates tonë!

Komisioni Qendror Zgjedhor i ka dhënë përfundimisht zgjidhje ditën e sotme debatit mes Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit lidhur me një mandat të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në qarkun e Tiranës.

E ndërsa mandati i ka kaluar Kleana Xhuvelit sipas renditjes së kandidatëve në listat e mbyllura të këtij koalicioni, palët vijojnë të konfliktohen virtualisht, kësaj radhe Endrit Shabani me Vasil Dajkon, djali i Ana Dajkos.

Ana Dajko ishte e para e renditur në listën e mbyllur të koalicionit, pjesë e strukturës politike të “Shqipëria Bëhet”, e cila duke mos pretenduar mandatin, ka dhënë dorëheqjen.

Qëllimi i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” ishte futja fiktivisht e personave të afërt në “listat e mbyllura” me qëllim djegien e tyre pas përfundimit të procesit elektoral dhe kalimin e mandatit fitues tek kandidatët e listave të hapura.

Ditën e djeshme kreu i KQZ sqaroi se dhënia e dorëheqjes nga kandidimi pas miratimit të listave nga Komisioni Qendror Zgjedhor është e pamundur. Në këto kushte mandati i “Nisma Shqipëria Bëhet” i ka kaluar Kleana Xhuvelit bazuar në renditjen e listave, pasi kjo e fundit kishte shprehur interes për mandatin.

Ai shtoi se për t’i kaluar mandati kandidatit më të votuar në listën e hapur, të gjithë kandidatët që janë pozicionuar në listën e mbyllur duhet të heqin dorë nga mandati dhe më pas të procedohet.

Endrit Shabani ka reguar lidhur me shpërndarjen e mandatit nga KQZ duke pretenduar se ai i takonte kandidatës së partisë “Nisma Thurje”, Livia Stavri, pjesë e listës së mbyllur.

Ka qenë Vasil Dajko i cili ka replikuar në postimin e Shabanit duke thënë se në çdo formë vendi në Kuvend i përket partisë “Shqipëria Bëhet”, duke e ironizuar dhe për dajën e tij, Zeqir Kordhoni, i cili gjithashtu kërkonte pjesë nga mandati.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT