Bota në prag të një lufte të re? Përshkallëzohet konflikti në Azi, Tajlanda dhe Kamboxhia mbyllin kufirin! Mbi 12 viktima nga shkëmbimet e raketave

Bota ka regjistruar sot një tjetër konflikt, i cili ka përshkallëzuar në shkëmbim të sulmeve ajrore në Azinë Juglindore.
Tajlanda dhe Kamboxhia kanë hedhur akuza në drejtim të palëve për sulme ajrore të kryera mëngjesin e sotëm në zonat e banuara nga civilë. Dy shtetet fqinje kanë ulur tashmë marrëdhëniet diplomatike ndërsa shkak për përshkallëzimin e konfliktit është bërë një zonë kufitare e diskutueshme nga të dyja palët për përkatësi.
Deri më tani mediat ndërkombëtare kanë bërë me dije se të paktën 12 civilë tajlandezë kanë mbetur viktimë të sulmeve me raketa të nisura nga Kamboxhia në drejtim të një fshati në Tajlandë, ndërsa mbi 40,000 banorë janë evakuuar nga 86 fshatra në provincën kufitare Surin.
Tajlanda ka akuzuar shtetin e Kamboxhias se ka sulmuar me raketa një spital në provincat e Tajlandës ndërsa këta të fundit i janë përgjigjur duke shënjestruar objektivat ushtarakë,
Tashmë Tajlanda ka mbyllur kufirin me Kamboxhian, ndërsa ambasadori i Kamboxhias është shpallur i padëshirueshëm në Bankok, ndërsa vendi është zotuar për të rritur masat e vetëmbrojtjes nga sulmet.
Përplasjet shpërthyen pranë tempullit Ta Moan Thom në kufirin lindor, rreth 360 kilometra nga Bangkoku dhe shënojnë pikën më kritike që nga muaji maj kur një ushtar kamboxhian humbi jetën në një shkëmbim zjarri, ndërsa së fundmi Tajlanda akuzoi Kamboxhian se ka minuar zonën kufitare duke shkaktuar plagosjen e tre ushtarëve të saj.
Ndërkohë, në një postim në Facebook të enjten në mëngjes, kryeministri kamboxhian Hun Manet u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë mes tensioneve në rritje me Tajlandën.
“Kamboxhia gjithmonë i është përmbajtur parimit të saj të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me mjete paqësore. Por në këtë situatë, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të përgjigjemi me forcë ushtarake kundër agresionit të armatosur”, shtohet në postim.