KQZ i dha mandatin kushërirës së Lapajt, “Shqipëria Bëhet”: Xhuveli, garancia që ky mandat të kthehet në listën e hapur

“Shqipëria Bëhet” ka reaguar në rrjete sociale pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i dhënë mandatin e deputetes Kleana Xhuvelit, kushërirës së Adriatik Lapajt.

Në mbledhjen e ditës së sotme, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi vendosi që mandati t’i kalojë kandidates nga lista e mbyllur e këtij koalicioni, të përbërë nga “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurrje”.

“Shqipëria Bëhet” shprehet se shkak që mandati përfundoi te Xhuveli ishte si një masë për të parandaluar që mandati të përfundonte te Zeqir Kordhoni, daja i Endrit Shabanit.

Në fund të deklaratës, “Shqipëria Bëhet”, theksohet se “Kleana është aty si garanci që ky mandat i 80. 000 vullneteve të qytetarëve do të kthehet te lista e hapur sapo këtë të drejtë ta fitojmë ligjërisht.”

Deklarata e plotë e “Lëvizja Shqipëria Bëhet”

Sot, KQZ në një seancë publike vendosi për shpërndarjen e mandatit të subjektit tonë, znj. Kleana Xhuveli (nga lista e mbyllur).

Ne jemi kundër listave të mbyllura ndaj dhe po luftojmë që të zbatohet marrëveshja e koalicionit me të cilën kërkuam votën te qytetarët.

Në KQZ arsyetuam përmbledhtaz si më poshtë:

1. Kandidatët nga listat e mbyllura janë dorëhequr nga kandidimi dhe nuk kanë dashur të jenë pjesë e garës përpara përfundimit të procesit të votimit dhe numërimit;

2. KQZ do të duhej të ishte shprehur brenda afatit ligjor prej 60 ditësh. Referuar nenit 91 pika 2 dhe 97 të Kodit të Procedurave Administrative këto kërkesa konsiderohen të miratuara në heshtje me kalimin e këtij afati. Si rrjedhim, çdo kërkesë e ardhur në adresë të KQZ, që revokonte dorëheqjen, pra pranon mandatin (nga lista e mbyllur), nuk duhej të merrej parasysh, pasi kandidatit i ishte miratuar në heshtje shkresa e parë e dorëheqjes.

KQZ nuk e pranoi kërkesën tonë, dhe mandati rrezikonte të mbetej në listën e mbyllur te kandidati Zeqir Kordhoni (Nisma Thurje) sa kohë ky shkeli zotimin e tij për ta djegur listën e mbyllur. Si rrjedhim, Kleana Xhuveli (Shqipëria Bëhet), e cila ishte në listën e mbyllur jo për të marrë mandat, por për t’i hapur rrugë listave të hapura, u detyrua të bënte të njëjtin veprim në mënyrë që mandati të shkonte për Partinë më shumë të votuar (Shqipëria Bëhet).

Kleana është pjesë e familjes sonë si aktiviste. Ka qenë pranë nesh në protesta, në organizime, në fushatë. Si shumë të tjerë në këtë lëvizje, ajo nuk u bashkua për karrierë apo për interes personal, por për parimet: Gara e hapur, meritokracia, demokratizimi i vendit.

Ajo veproi! Jo për ta marrë mandatin për vete, por për të mbrojtur përkushtimin, kohën, djersën e gjithsecilit që ka investuar në këtë lëvizje.

Kleana është aty si garanci që ky mandat i 80. 000 vullneteve të qytetarëve do të kthehet te lista e hapur sapo këtë të drejtë ta fitojmë ligjërishr.

I kërkojmë falje të gjithë mbështetësve për shqetësimin e shkaktuar!

Do të bëjmë çmos që betejën që nisëm për listat e hapura, ta çojmë deri në fund.

Dorina Prethi

Nënkryetare

Lëvizja “Shqipëria Bëhet”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT