Zjarri i madh ne Delvinë, Ina Zhupa e alarmuar: Kërkohet ndërhyrje serioze nga ajri, janë djegur shtëpi dhe Kisha e Shën Dhimitrit

Zjarri i përmasave të mëdha në zonën e Delvinës po vijojnë prej disa ditësh duke djegur gjithçka që i del përpara.
Ditën e sotme, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka reaguar në rrjetin e saj social Facebook në lidhje me zjarret masive që kanë përfshirë fshatrat e Delvinës.
Zhupa ka kërkuar ndërhyrjen më serioze nga ajri për të normalizuar gjendjen, pasi janë djegur shtëpi, ullishte dhe objekte fetare.
“Zjarri masiv në Delvinë, pasoja të rënda! Kërkohet ndërhyrje më serioze nga ajri, nga forcat zjarrfikëse. Zjarri që shtrihet në Senicë, në Kalasë, në Tatzat, në Kopacez, në Vergo ka bërë dëme të mëdha deri tani.
Janë djegur shtëpi, mijëra rrënjë ullinj dhe është djegur edhe Kisha e Shën Dhimitrit, një objekt i rëndësishëm fetar dhe historik për komunitetin. Fatmirësisht s’ka dëmtime të banorëve. Institucionet të marrin masat urgjente!”- u shpreh deputetja Ina Zhupa.