Gledis Nano paraqitet në SPAK! Ish-kryepolici në garë për ‘FBI’-në shqiptare, pritet t’i nënshtrohet intervistës

Shtatë kandidatët në garë për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të zhvillojnë këtë të hënë intervistën. I pari që ka shkuar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka qenë ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Gjatë intervistës në panel, kandidatët të cilët aspirojnë për të udhëhequr “FBI” shqiptare do të merren në pyetje me gojë përballë komisionit i cili monitorohet edhe nga disa përfaqësues të misioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Ky është edhe testi i fundit, pasi më pas do të kalojnë në fazën e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë nga Komisioni i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.
Kujtojmë se gjatë javës që lamë pas, përgjatë të enjtes dhe të premte, kandidatët Andi Pogaçe; Artur Beu; Elton Kërluku; Gentian Ndoi; Gentjan Shehaj; Gledis Nano dhe Joni Keta iu nënshtruan testin e poligrafit, ose i njohur ndryshe si testi i së vërtetës.
Gjatë monitorimit të poligrafit kandidatët iu përgjigjen pyetjeve provokuese, ndërkohë që një prej specialistëve kishte ardhur nga jashtë i cili vlerësoi reagimet e disa indikatorëve si pulsi, djersitja, etj.
Pas kalimit edhe të kësaj faze të fundit, pra intervistës, komisioni i ngritur pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) pritet që së shpejti t’i dërgojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë emrin e kandidatit të përzgjedhur për postin e kreut të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Komisioni i përzgjedhjes në SPAK përbëhet nga kreu i institucionit, Altin Dumani, si dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra.
Pas përfundimit të procedurave të vlerësimit, emri i përzgjedhur do t’i propozohet zyrtarisht Këshillit të Lartë të Prokurorisë për emërim.