Ermiri i “Cinco Cavalli” u prangos nga SPAK si bos kokaine, klubi i natës mohon themeluesin: Nuk ka asnjë lidhje me ne!

Klubi i njohur për jetën e natës në Durrës, “Cinco Cavalli” mohon të ketë lidhje me shtetasin Ermir Ndreaj, i arrestuar dy ditë më parë me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, i akuzuar si pjesë e një grupi të madh që trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latine, drejt vendeve të BE dhe Shqipërisë.
Ne reagimin publik, Cinco Cavalli Group kërkon të sqarojë opinionin publik, duke i cilësuar lajmet për Ermir Ndreaj si të pabazuar dhe të pavërteta, sepse ai nuk ka asnjë lidhje me pronësinë apo menaxhimin e klubit të natës.
“Cinco Cavalli Group dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me një informacion të gabuar të publikuar sot në disa media online, ku është përmendur emri i një personi te arrestuar, qe ka lidhje me kompaninë tonë.
Theksojmë se ky person nuk ka asnjë lidhje me Cinco Cavalli Group, as në pronësi, as në menaxhim, dhe as në ndonjë funksion tjetër të lidhur me aktivitetin e kompanisë sonë. Çdo përpjekje për ta lidhur atë me emrin e Cinco Cavalli është e pavërtetë dhe e pabazuar”, thotë reagimi.
Teksa mohon themeluesin, “Cinco” thotë se ky sqarim bëhet me qëllim ruajtjen e integritetit të kompanisë dhe për të shmangur çdo keqkuptim të mëtejshëm, duke qenë të gatshëm të ofrojnë çdo informacion shtesë për transparencë.
Sipas dokumenteve nga Qendra Kombëtare e Biznesit, klubi i natës “Cinco Cavalli” është regjistruar në Durrës në vitin 2016 dhe me themelues ortakun e vetëm Ermir Ndreaj, ndërsa në në vitin 2018 ai i është shitur Enio Jahelezit.
Shitja, referuar dokumenteve që i gjeni dhe në galerinë më poshtë, është bërë në Tiranë në vitin 2018 dhe të dy personat, shitësi dhe blerësi, janë me origjinë nga Tropoja.
)