“Telenovela” vazhdon! Mandati i kaloi vajzës së tezes, Adriatik Lapaj kërkon anulimin e vendimit: Ma jepni mua

“Telenovela” për ndarjen e mandatit të koalicionit “Nisma Shqipëri Bëhet”, s’paska të ndalur!
Ndonëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kaloi mandatin kushërirës së Adriatik Lapajt, Kleana Xhuvelit, “Shqipëria Bëhet” ka ankimuar së fundmi këtë vendim.
Përmes një shkrese zyrtare ata kanë ankimuar në KAS ndarjen e mandateve duke kërkuar kështu anulimin dhe kalimin te Adriatik Lapaj.
“Shqipëria Bëhet” përmes kësaj shkrese ka parashtruar të gjitha pretendimet e saj duke theksuar se vendimi i KQZ-së bie ndesh me qëndrimet zyrtare të kësaj force politike, e cila i kishte paraqitur më herët komisionit qëndrimin për njohjen e dorëheqjes së disa kandidatëve, përfshirë këtu edhe të kushërirës së Lapajt.
Ndër të tjera thuhet se në vijimësi të procesit mandati duhet t’i kalojë Lapajt, si kandidati i radhës në listën e hapur dhe ai që ka marrë më tepër vota në zgjedhjet e 11 Majit brenda kësaj force politike.
“Në përfundim kërkojmë: 1. Ndryshimin e Vendimit Nr. dt. 23.07.2025, të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve “Për caktimin e kandidatëve fitues të subjektit zgjedhor Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në zonën zgjedhore Qarku Tiranë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025.
2. Mosnjohjen si të vlefshme të revokimit të dorëheqjeve të depozituara përkatësisht në datë 15.07.2025 nga Zeqir Kordhoni dhe në dt. 17.07.2025 nga Kleana Xhuveli.
3. Shpalljen e kandidatit fitues nga lista shumë-emërore sipas numrit të votave parapëlqyese, të subjektit zgjedhor Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” për Qarkun Tiranë, si më poshtë: 1. Adriatik Ferman Lapaj SHB.
4. Miratimin e kandidatëve të mbetur, të cilët nuk kanë përfituar mandat në listën shumë-emërore të subjektit zgjedhore Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në bazë të renditjes sipas numrit të votave parapëlqyese, duke filluar nga numri më i lartë i votave dhe duke zbatuar kriterin gjinor”, thuhet ndër të tjera në kërkesën që “Shqipëria Bëhet” i ka dërguar KAS.
Kujtojmë se më 23 korrik, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi, i dha drejtim sherrit të ditëve të fundit mes dy ish-aleatëve, Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit për “karrigen” në Parlament.
Përfundimisht, sipas kreut të KQZ, Lapaj mbeti zyrtarisht jashtë Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që mandati i deputetit të Nisma Shqipëria Bëhet i kaloi Kleana Xhuvelit, kushërirës së Lapajt.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, kjo e fundit u shpreh se do të mbajë mandatin e saj deri në momentin që ai t’i rikthehet të zotit, pra Lapajt.
“Deri në ditët qe beteja ligjore do ta kthejë te i Zoti, te njeriu më i besuar i tij Adriatik Lapaj. Unë jam 27 vjeçe dhe jam kushërira e Adriatik Lapajt”, tha ajo shkurtimisht.
Kleana Xhuveli është një juriste e re, e përfshirë në zgjedhjet e 11 majit 2025 me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”, në bashkëpunim me Adriatik Lapajn.
Pas kandidimit, ashtu si dhe dy ish-aleatët kishin rënë dakord, ajo dha dorëheqjen, mirëpo e revokoi më pas duke kërkuar zyrtarisht ta merrte mandati ne deputetes dhe si rrjedhojë të linte jashtë dajën e Endri Shabanit, i cili ishte dhe “sebepi” i këtij sherri brenda aleancës.