VIDEO/ Denoncoi te Sali Berisha vrasjen e të atit, qëllohet me armë banesa e vajzës së Frederik Radit: Jemi në rrezik…

Disa ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha postoi në llogarinë e tij në “Facebook” denoncimin e bërë nga vajza e Frederik Radit, për të cilin pohoi se e kanë vrarë në gjumë dhe se Policia e Lezhës nuk ka ndërmarrë asnjë masë ligjore.
Sipas vajzës së Radit, Leonora Radit Policia dhe Prokuroria janë në dijeni të autorëve të kësaj vrasje, mirëpo nuk i kanë vendosur në pranga.
“Babai im, Frederik Radi, është vrarë në gjumë, në mënyrë të pabesë dhe mizore, më 20 gusht 2024, në shtëpinë e tij në Lajthizë, Mirditë. Prej asaj dite, pavarësisht se Policia e Lezhës, Policia e Rrëshenit dhe Prokuroria janë në dijeni të plotë kush janë autorët, nuk është marrë asnjë masë ligjore. Të gjithë heshtin.
Ne kemi arsye të forta të besojmë se palë të fuqishme kanë ndërhyrë në hetim dhe po mbrojnë vrasësit. Kjo është një padrejtësi e tmerrshme, dhe shteti po tregohet i pafuqishëm – ose i kapur.
Zoti Berisha, ju jeni zëri i vetëm që arrin të çojë të vërtetën në dritën e opinionit publik. Ju lutem, ju bëj thirrje si qytetare dhe si e bija i një njeriu të pafajshëm që është vrarë mizorisht: ndihmoni që kjo çështje të bëhet publike! Ndihmoni që të ushtrohet presion publik mbi institucionet që kanë zgjedhur të heshtin”, shkruante ajo në mesazhin e dërguar Berishës i cili më pas e publikoi në rrjetet e tij sociale.
Ndërkohë, vetëm dy ditë pas këtij denoncimi publik, konkretisht më datën 27 korrik, banesa e kësaj shtetase është qëlluar me armë zjarri.
Ka qenë sërish kreu i Partisë Demokratik ai i cili në llogarinë e tij në “Facebook” ka postuar pamjet kur shtëpia e saj është qëlluar me armë zjarri ndërkohë që në oborrin e banesës ka qenë nëna e saj.
“Përshëndetje, jam Leonora Radi, vajza e Frederik Radi, i cili u vra më 20 gusht 2024. Që nga ajo ditë, familja jonë është nën kërcënime të vazhdueshme dhe mbrëmjen e kaluar është qëlluar me armë drejt shtëpisë sonë, ndërsa nëna ime ndodhej në oborr. Kemi bërë kallëzim në polici, por nuk ka reagim dhe jemi realisht në rrezik. Kërkoj ndihmën tuaj që kjo situatë të bëhet publike dhe të kërkohet drejtësi”, shkruan Radi krah videos që ia ka vendosur në dispozicion Berishës.
Kujtojmë se Frederik Radi u vra në gusht të vitit të kaluar. Ishte vajza e tij ajo e cila e gjeti të pajetë mëngjesin e 20 gushtit babain e saj.
Siç dhe raportuam asokohe 68-vjeçari u qëllua me armë zjarri nga dritarja e banesës ku dhe ai po flinte. Për shkak të plagëve të marra Radi gjeti vdekjen ndërkohë ka qenë vajza e tij ajo e cila pasi nuk kishte kontaktuar me të atin prej dy ditësh e shqetësuar shkoi në banesën e tij në fshatin Lajthizë, ku dhe e gjeti të pajetë.
“Më datë 20.08.2024, shtetasja L. R. ka njoftuar Policinë se ka gjetur të pajetë babanë e saj, shtetasin F. R., 68 vjeç, në banesën e familjes në fshatin Lajthizë, njësia administrative Orosh, ku 68-vjeçari kalonte muajt e verës. Prej 2 ditësh ai kishte humbur kontaktet me familjarët.
Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë vendore dhe grupi i posaçëm hetimor.
Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, nga dritarja e dhomës ku flinte, dhe si pasojë ka humbur jetën. Deri në këto momente janë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, disa shtetas, banorë të këtij fshati.
Në drejtimin e Prokurorisë, po kryhen hetime intensive për të identifikuar dhe kapur autorin/ët e rastit si dhe për të zbardhur rrethanat”, njoftoi një vit më parë Policia e Mirditës ndërkohë që ndonëse kanë kaluar rreth një vit nga kjo ngjarje asnjë prej autorëve nuk ka rënë në pranga.