Kryebashkiaku zbulon “mbikëqyrjen maksimale” në burg: Jeni të pamëshirshëm, monitorohem 24/7 nga dy kamera, mbi derë dhe në dritare

Erion Veliaj thotë se avokatët e tij do të ndjekin çdo gjyq për shpifje ndaj gazetarëve, të cilët ai i quan “zellotët e disko-lajmeve”, për deklaratat që bëjnë në publik në lidhje me procesin penal ndaj tij. Kryebashkiaku pretendon se ata flasin me vetëbesim, por duke aluduar se janë gënjeshtra.

Më tej, në letrën e tij për përfundimin e hetimeve nga SPAK, Erion Veliaj zbulon për herë të parë se monitorohet me dy kamera në qelinë e paraburgimit të Durrësit, një mbi derë dhe tjetra në dritare.

“Për gjithë zellotët në disko-lajme, që flasin me një vetëbesim që të bën të mendosh se flenë në krevat me mua në qeli, do mendojnë avokatët e mi në gjykata për shpifje, ku gjer më sot kemi fituar 100% të gjyqeve – nga djali i Ahmadinexhadit e gjer tek damixhanët e gazetarisë se lodhur.

Për sa kohë kam një kamera 24/7 mbi derë e tjetrën mbi dritare, të rrinë të qetë se jam më i observuar këtu seç isha në Tiranë, me gjithë gërmimet mbi çdo aspekt të jetës sime. Janë të pamëshirshëm për vetting-un e të tjerëve, kurrë për të tyrin”, shkruan kryebashkiaku.

Erion Veliaj ndalet edhe tek ata që e kanë “përbuzur” se ka derdhur lot në qeli nga malli për familjen dhe djalin e tij.

“Kurse atyre që nënqeshin se kam derdhur lot për djalin, u them se duhet të shqetësohen më shumë nga burrat që nuk qajnë, se sa nga ata që e kanë ende zemrën në vend e fshikullohet sistematikisht nga malli për fëmijën. Të kesh bërë 50 shkolla për fëmijët e Tiranës dhe të mos shoqërosh dot djalin tënd në klasë të parë është një dhimbje therëse”, vijon kryetari i arrestuar i Tiranës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT