Neni 236 skandal ligjor? Gazetari i njohur: Po i grabisim qytetarëve lirinë!

Analisti dhe gazetari i njohur Agim Baçi ka reaguar ashpër kundër ndryshimeve të propozuara në nenin 236 të Kodit Penal, duke i cilësuar si një kërcënim serioz ndaj vetë themelit të demokracisë – lirisë së shprehjes.

“Nuk është një ligj kundër medias apo gazetarëve. Është një ligj kundër demokracisë, kundër vetë sistemit që ka për bazë lirinë,” shkruan Baçi.

Ai thekson se shpifja nuk duhet mbrojtur dhe përdhosja e simboleve kombëtare duhet të vazhdojë të ndëshkohet me gjobë apo dënim penal, siç parashikohet aktualisht. Por, sipas tij, është e papranueshme që kryeministri, kryeparlamentari apo drejtues të institucioneve të trajtohen si “simbole kombëtare” dhe të mbrohen me ligj ndaj çdo kritike publike.

“Neni 236 i Kodit Penal, i hedhur për debat nuk është kundër medias, kundër gazetarëve, por kundër demokracisë, kundër thelbit të një sistemi që në thelb ka ruajtjen e lirisë. Ta themi hapur, askush nga ne nuk duhet të mbështesë shpifjen. Gjithashtu edhe përdhosja ndaj simboleve kombëtare duhet të vijojë të jetë kundravajtje që dënohet me gjobë, apo dhe me 3 muaj burgosje, siç është aktualisht me Kodin Penal në fuqi. Por as kryeministri, as kryeparlamentari e as ministra apo drejtues institucionesh kushtetuese nuk janë simbole kombëtare, por shërbëtorë të ligjit dhe qytetarëve. Si të tillë ata nuk ka pse të jenë imunë, të mbrojtur nga ndonjë ligj, nëse do jenë përballë kritikës, ironisë, madje dhe talljes, pasi të tilla reagime janë formë komunikimi që kanë në thelb korrigjimin e një shteti të padrejtë, janë forma kundër shkeljes së të drejtës së pronës apo lirisë së shprehjes. Në fund të fundit, ata që drejtojnë sot në institucione qeverisëse kanë zgjedhur të jenë njerëz publikë, e si të tillë, edhe të gjykohen nga publiku.
Nëse ne do të vendosim me ligj që të drejtat e shtetit dhe pushtetarëve të gllabëron të drejtat e qyetarëve, atëherë ne kemi vendosur për të kundërtën e lirisë. Nëse ne duam t’i mbrojmë të zgjedhurit apo të emëruarit e përkohshëm në institucione si të jenë simbole kombëtare, atëherë kemi vendosur t’i rrëmbejmë lirinë qytetarëve dhe i kemi hapur derën një diktature të re.
Po cila është natyra e një qeverie nëse nuk ka frikë nga përgjegjësitë? Cila është natyra e një qeverie që mbrohet me ligj ndaj formave të kritikës qeverisëse nga qytetarët, qoftë ajo kritikë, tallje, sarkazëm apo parodi?
Natyrisht, që një mbrojtje e tillë me ligj e shtetit dhe shtetarëve nga kritikat apo sarkazmat që bëjnë qytetarët, nuk është një goditje ndaj medias, por ndaj demokracisë, duke rrezikuar seriozisht lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit, për të cilën edhe ky sistem është kaq i dëshiruar. Ndaj kundërshtimi i këtij ndryshimi duhet të jetë jo vetëm nga media, por nga kushdo që beson se Liria është më e mirë se diktatura apo teokracia.
Fundja, e keqja një vendi nuk i ka ardhur kurrë kur e kanë ekzagjeruar qytetarët, por kur e ka ekzagjeruar qeveria dhe të zgjedhurit duke tejkaluar ligjshmërinë dhe të drejtën.” – shkruan Baçi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT