Anija luftarake turke mbërrin në Portin e Durrësit, “TCG Sancaktar” e klasit “Bajraktar” pjesë e misioneve të NATO-s

Porti i Durrësit është vizituar ditën e sotme nga anija desantuese “TCG Sancaktar” e klasit “Bajraktar”, pjesë e flotës ushtarake turke dhe e forcave të Aleancës.
Anija gjigande është ankoruar në Portin e Durrësit për një qëndrim 1 ditor në kuadër të vizitës së misionit NSPA të NATO-s në vendin tonë.
“TCG Sancaktar” është e gjatë rreth 139 metra dhe me kapacitet mbajtës deri në 1.180-1.200 tonë ngarkesë. E ndërtuar në vitin 2016 në kantierin Anadolu, anija mund të mbajë 18-20 tanke apo 24 automjete të blinduara si dhe rreth 350 froca ushtarake në bord.
Kjo anije ka marrë pjesë në një sërë misionesh të rëndësishme, ndër të cilat Peace Spring në Siri në 2019, Efes 2024, ku është angazhuar dhe ka asistuar në operacionet e bashkëpunimit strategjik, të stërvitjeve ndërkombëtare dhe të ndihmës emergjente përfshirë operacionet amfibe, transportin e personelit dhe pajisjeve midis detit dhe bregut, mbështetjen logjistike, ndihmën humanitare dhe reagimin ndaj katastrofave natyrore.