Bankers e gatshme t’i paguajë Shqipërisë 240 milionë euro të Arbitrazhit, “kushti” që kanë: Nxirrini punonjësit tanë nga burgu

Kompania Bankers Petroleum Albania Ltd ka reaguar sërish këtë të premte lidhur me situatën e fundit ligjore në të cilën ajo ndodhet dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për t’i kthyer shtetit shqiptar miliona euro.

Përmes një deklarate zyrtare kompania konfirmon përkushtimin e saj për të zbatuar pa rezerva vendimin e datës 7 qershor të vitit të kaluar, tashmë të mbështetur edhe nga Gjykata e Apelit në vendin tonë.

Megjithatë, ajo që bie në sy është “kushti” i kompanisë e cila thekson se është e gatshme që t’i japë Shqipërisë shumën prej 240 milionë eurove që i detyrohet, ndërkohë që kjo e fundit duhet të rishikojë masat penale të vendosura ndaj disa prej punonjësve dhe drejtuesve të saj.

“Bankers” shprehet “besimplotë” në sistemin gjyqësor shqiptar, duke shtuar më tej se masat aktuale të sigurisë ndaj këtyre individëve të rivlerësohen me kujdes, me qëllim për të ruajtur stabilitetin e operacioneve dhe “partneritetin strategjik”.

“Kemi shpresa të mëdha në integritetin dhe drejtësinë e sistemit gjyqësor shqiptar dhe mbetemi shpresëplotë se kjo çështje do të trajtohet me paanshmërinë dhe kujdesin që meriton. Gjithashtu, shprehim dëshirën tonë të sinqertë që masat aktuale të sigurisë që prekin anëtarët e ekipit tonë, të rivlerësohen në mënyrë të tillë, që të mbrojnë vazhdimësinë e operacioneve tona dhe përforcojnë besimin ndaj drejtësisë”, thuhet në deklaratën e “Bankers”, të cilët më pas kanë paralajmëruar ngritjen e një ekipi të jashtëm për një vetë-hetim të thellë, si shenjë transparence dhe mbështetjeje për institucionet, duke u angazhuar që çdo shqetësim i ngritur të trajtohet në mënyrë objektive dhe të pavarur.

“Për shembull, nën drejtimin e Kryetarit tonë të Bordit Mbikëqyrës, planifikojmë të formojmë një ekip të jashtëm për të kryer një vetë-hetim të thellë për të gjithë periudhën, duke ofruar bashkëpunim dhe ndihmë të ngushtë për autoritetet shqiptare”, shton Bankers në deklaratën zyrtare.

Ndërkohë që këtë deklaratë kompania e ka mbyllur edhe me një “mesazh” për shtetin shqiptar, duke i thënë se “është një partner i besueshëm në udhëtimin e zhvillimit të vendit, të përkushtuar ndaj progresit, stabilitetit dhe një të ardhmeje të qëndrueshme për të gjithë shqiptarët.”.

Kujtojmë se në fillim të muajit korrik, Prokuroria e Fierit njoftoi se kishte nisur një hetim ndaj kompanisë “Bankers Petroleum Albania”.

Organi i akuzës njoftoi se lidhur me këtë operacion u lëshuan 14 masa sigurie, ku deri më tani janë ekzekutuar 9 masa sigurimi ndaj drejtuesve aktualë dhe të mëparshëm të kompanisë, ndërsa 5 shtetas të tjerë, kryesisht të huaj, janë shpallur në kërkim.

Prokuroria bëri me dije se gjatë hetimeve u arrit që të grumbullohen prova të mjaftueshme për të evidentuar skemën e mashtrimit që kompania në fjalë ka bërë përgjatë 20 viteve të fundit.

Në njoftimin e këtij institucioni të drejtësisë mësohej se shoqëria “Bankers Petroleum Albania”, ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë.

Po ashtu, rezultonte se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë.

Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Vetë kreu i qeverisë Edi Rama foli ditë më parë lidhur me këtë aferë, e cila është cilësuar si dhe një nga më të mëdhatë të tranzicionit shqiptar, që po trondit themelet e industrisë së naftës.

Rama paralajmëroi që drejtësia do të bëjë punën e vet dhe se Prokuroria ka mbështetjen e tij për të bërë investigim në mënyrë të pavarur, ndërkohë që theksoi më tej se qeveria shqiptare ka fituar Arbitrazhin me kompaninë dhe se “Bankers” i detyrohet shtetit 240 milionë euro.

“Ne kemi fituar me Bankers një arbitrazh dhe Bankers na detyrohet 240 mln euro. Shyqyr që ka ardhur dita që prokuroria investigon në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast i heq kapelën përkatëse që ka bërë këtë invetsigim dhe uroj ti nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje, ku realisht ka pasur shumë problematika dhe që është akoma sot e gjithë ditën, kostoja e një koncesioni të dhënë poara se unë të merrja detyrën”, tha Rama ditë më parë.

Reagimi i plotë:

Bankers Petroleum Albania Ltd. konfirmon sërish angazhimin e palëkundur ndaj platformës “Shqipëria 2030” dhe ndaj një vizioni afatgjatë, që forcon sigurinë energjetike, qëndrueshmërinë ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Ky angazhim, i cili shtrihet përtej detyrimeve rregullatore, është një premtim solemn ndaj popullit shqiptar dhe një mbështetje e qartë e ndaj lidershipit të vendit, i rrënjosur në besim, llogaridhënie dhe partneritet strategjik.

Në përputhje të plotë me institucionet dhe autoritetet kombëtare, ne konfirmojmë gadishmërinë tonë për të zbatuar, pa rezerva, Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC) të datës 7 qershor 2024, të mbështetur nga Gjykata e Apelit e Shqipërisë (Vendimi Nr. 479, i komunikuar më 1 korrik 2025). Ekipet tona ligjore janë plotësisht të përgatitura për të punuar së bashku me institucionet përkatëse shqiptare për të siguruar ekzekutimin gjithëpërfshirës të këtij vendimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të mbrojtur investimet e huaja dhe për të siguruar zbatimin me sukses të një projekti kryesor energjetik në Evropën Kontinentale, që pasqyron interesat e përbashkëta kombëtare dhe strategjike të Shqipërisë.

Ne po ndjekim me vëmendje të sinqertë hetimet penale, të iniciuara nga autoritetet shqiptare më 2 korrik 2025, në lidhje me disa kolegë të respektuar dhe ish-punonjës. Gjatë gjithë këtij procesi, vazhdojmë të angazhohemi haptazi me të gjitha institucionet kompetente, të udhëhequr nga një frymë transparence, respekti të ndërsjellë dhe respektimi të ligjit.

Për shembull, nën drejtimin e Kryetarit tonë të Bordit Mbikëqyrës, planifikojmë të formojmë një ekip të jashtëm për të kryer një vetë-hetim të thellë për të gjithë periudhën, duke ofruar bashkëpunim dhe ndihmë të ngushtë për autoritetet shqiptare.

Kemi shpresa të mëdha në integritetin dhe drejtësinë e sistemit gjyqësor shqiptar dhe mbetemi shpresëplotë se kjo çështje do të trajtohet me paanshmërinë dhe kujdesin që meriton. Gjithashtu, shprehim dëshirën tonë të sinqertë që masat aktuale të sigurisë që prekin anëtarët e ekipit tonë, të rivlerësohen në mënyrë të tillë, që të mbrojnë vazhdimësinë e operacioneve tona dhe përforcojnë besimin ndaj drejtësisë.

Të shtyrë nga angazhimi ynë ndaj inovacionit dhe përsosmërisë operacionale, Bankers Petroleum Albania është krenar të pohojë sërish qëllimin për të vijuar me investime të mëtejshme në të ardhmen energjetike të vendit. Si pjesë e këtij vizioni drejt të ardhmes, po forcojmë qeverisjen tonë dhe po përgatitemi të lançojmë një teknologji termale të përparuar të projektuar për të përmirësuar ndjeshëm rikuperimin e naftës, për të ulur kostot e prodhimit dhe për të forcuar qëndrueshmërinë afatgjatë të operacioneve tona.

Përveç kësaj, këto përmirësime pritet të luajnë një rol kyç në mbështetjen e zhvillimit më të gjerë ekonomik të Shqipërisë dhe objektivave mjedisore, duke përmirësuar efikasitetin e burimeve, duke zvogëluar gjurmën ekologjike të operacioneve dhe duke promovuar përdorimin e përgjegjshëm të aseteve energjetike.

Kjo iniciativë shënon një hap të guximshëm drejt pozicionimit të Shqipërisë si një pikë referimi rajonale për zhvillimin e përgjegjshëm dhe efikas të energjisë.

Ndërsa përparojmë në të gjitha drejtimet; ligjore, operacionale dhe teknologjike, ne vijojmë të jemi plotësisht në përputhje me ligjet e Republikës së Shqipërisë, kushtet e marrëveshjes sonë të koncesionit, ICC-në dhe standardet ndërkombëtare të zbatueshme. Rruga jonë është ajo e partneritetit dhe prosperitetit të përbashkët; duke u përqendruar në mbrojtjen e investimeve afatgjata, duke nxitur inovacionin, kujdesin ndaj mjedisit dhe duke kontribuar në mënyrë vendimtare në rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Ne e shohim rolin tonë jo vetëm si operator energjie, por si një partner i besuar në udhëtimin e zhvillimit të vendit, të përkushtuar ndaj progresit, stabilitetit dhe një të ardhmeje të qëndrueshme për të gjithë shqiptarët.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT