SPAK iu preu sot “biletën”! Akuzat për vëllain dhe kushëririn e deputetit të PS, njëri ndihmoi për ekzekutimin e Durim Bamit, tjetri pazare për drogë me zyrtarin socialist

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “vulosi” këtë të premte dosjen për “çunat e Fushë Krujës”, pjesë e të cilës janë dhe dy familjarët e deputetit të Partisë Socialiste, Eduart Ndreca.

Përmes një njoftimi zyrtar togat e zeza njoftuan se dërguan për gjykim shtetasit Albert Zaja, Edison Muceku, Elvis Ndreca, Armando Ndreca, Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli, të cilët akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale të regjistruara në vendin tonë përgjatë viteve të fundit.

Armando Ndreca, vëllai i deputeti socialist, u shoqërua në prill të një viti më parë pasi u përfshi në kultivimin e lëndëve narkotike.

33-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit anti-drogë në fshatin Kashnjet, ku dhe u gjet dhe sekuestrua një stan i cili ishte përshtatur për kultibimin e lëndëve narkotike cannabis sativa.

Mbrapa këtij “biznesi” qëndronte edhe vëllai i deputetit, i cili përpos punëve të paligjshme rezultonte të ishte i punësuar edhe pranë Drejtorisë Rajonale të Hetimit Tatimor në Shkodër. Ai u la i lirë disa ditë më vonë, ku Gjykata vendosi që t’i caktonte masën e “detyrim paraqitje”, duke e cilësuar të paligjshëm ndalimin e tij, për t’u arrestuar sërish një muaj më vonë.

Ndreca, së bashku me kushëririn e tij, Elvis Ndrecën u shoqëruan në Komisariat në maj të 2024 në kuadër të megaoperacionit të nisur me urdhër të SPAK për kapjen e kontigjentëve të krimit, ku dhe u lëshuan 50 urdhër-arreste.

Djali i xhaxhait të deputetit socialist doli në përgjimet e SKY ECC dhe akuzohet për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen ndaj Durim Bamit.

Nga përgjigjet e aplikacionit famëkeq, Ndreca u kap duke biseduar me kushëririn e tij Armando Ndreca, dhe me Arben Ndokën, ish-deputetin e PS-së, për parcelat me kanabis në zonën e Kashnjetit.

Elvis Ndreca akuzohet për veprat penale:  –“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Durim Bami (nenet 80 dhe 28/4 të Kodit Penal);

-“Grup i strukturuar kriminal” (neni 333/a/2 i të Kodit Penal);

–“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).

Ndërsa,  mbi Armando Ndrecën rëndojnë akuzat:  –“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal (nenet 283/3 dhe 28/4 të Kodit Penal);

–“Grup i strukturuar kriminal” në formën e organizimit (neni 333/a/1 i Kodit Penal);

–“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).

Back to top button
LAJMET E FUNDIT