Thirrje “vdekje për shqiptarët” në ndeshjen e basketbollit në RMV, Bushati: E papranueshme heshtja

Pas ngjarjeve të rënda që ndodhën gjatë ndeshjejes së basketbollit në Kumanovë, ku u dëgjuan thirrje raciste kundër shqiptarëve në prani të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka reaguar ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Përmes një postimi në X Bushati shprehet se këto thirrje nuk janë vetëm fyese, por përbëjnë një kërcënim për bashkëjetesën demokratike dhe barazisë mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Bushati shkroi edhe për heshtjen e krerëve të lartë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
“Ajo që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit në #Kumanovë ishte një manifestim i qartë i urrejtjes etnike.
Thirrjet “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët” nuk janë vetëm fyese, por përbëjnë një kërcënim serioz për bashkëjetesën demokratike dhe barazinë mes maqedonasve dhe shqiptarëve si dy komunitete shtetndërtuese në Maqedoninë e Veriut.
Për më tepër, heshtja e zyrtarëve të lartë që ishin dëshmitarë të kësaj “galerie turpi” është e papranueshme. Dëshmi e faktit se nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura nga ngjarjet e hidhura të së kaluarës”, – ka shkruar ai.