Analistë, SPAK dhe ndërkombëtarët “në alarm” për Kodin e ri Penal, Edi Rama “thyen” heshtjen: Të mos ekspozohen shumë në diell, është hedhur për diskutim

Kreu i qeverisë, Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me draftin e Kodit të ri Penal i cili vlen të theksohet se që në momentin kur dhe u shpalos ka hapur debat të fortë.
Përmes një postimi në platformën e tij në “X”, kryeministri ironizoi kritikat e ardhura nga analistë, njerëz të drejtësisë, por edhe ndërkombëtarë, duke i quajtur të “alarmuar” dhe i ka sugjeruar që të “mos ekspozohen shumë në diell”.
Ai ka theksuar se ky draft është hartuar nga ekspertë të fushës dhe është prezantuar me qëllim për t’u diskutuar dhe për të mbledhur sa më tepër opinione rreth tij.
“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij.
Hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj”, shkruan Rama.
Kujtojmë se Kodi i ri Penal është kthyer gjatë ditëve të fundit në një nga temat më të nxehta në vendin tonë. Të shumta kanë qenë reagimet si nga ekspertë në Shqipëri, institucione të drejtësisë dhe ndërkombëtarët të cilët kanë shprehur shqetësimin rreth përmbajtjes së Kodit
Vetë Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela doli me një reagim publik ku dhe shprehu pakënaqësitë e tij ndaj këtij drafti. Ai e cilësoi si të paqartë, por edhe si një rrezik për minimin e funksionimit të drejtësisë.
Sipas tij, Prokuroria e Përgjithshme nuk u përfshi në mënyrë zyrtare në grupin e punës për hartimin e dokumentit, një mungesë që ai e konsideroi shqetësuese.
“Prokuroria e Përgjithshme nuk ka qenë e përfaqësuar zyrtarisht në grupin e punës për hartimin e një kodi të ri penal. Është kërkuar në një moment një përfaqësues nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për të marrë pjesë në një fazë diskutimesh mbi një pjesë e përgjithshme të draftit të përfunduar nga grupi i punës dhe më pas në mesin e vitit 2023, kjo pjesë e përgjithshme e projektit të kodit i është dërguar për konsultim prokurorëve, por që nuk pati vijim konkret”, tha ai më herët.
Edhe Gjykata e Lartë ndau të njëjtin qëndrim, ku kreu i saj, Sokol Sadushi shprehu pakënaqësi për mospërfshirjen e komunitetit të magjistratëve në proces. Në të njëjtën linjë qëndroi edhe kreu i SPAK, Altin Dumani.
Ai bëri me dije se Prokuroria e Posaçme nuk ishte pjesë në hartimin e këtij drafti si dhe do të mbajnë një qëndrim në momentin që do të vihen në dijeni faqe për faqe për Kodin e Ri Penal.
Ndër të tjera, Dumani nuk mohoi faktin se Kodi Penal aktual ka nevojë për ndryshime, ndërsa kërkoi që ndryshime të bëhen dhe tek neni për narkotikët.
“Për debatin e Kodit te ri Penal, ka një rendësi jetike për shtetin ligjor, priten diskutime është normale. Debati i parë duhet të ishte bërë, a ishte i nevojshëm Kodi i Ti apo te punohej mbi kodin aktual. Un vetë besoj që ka nevoje për ndryshime, për shembull neni për narkotiket, të ndahet sipas sasisë dhe llojit të drogës. është një draft, ne se kemi marrë zyrtarisht, nuk jemi përfshirë në hartimin e tij, kur të na vij do e analizojmë dhe do mbajmë një qëndrim”, tha Dumani më herët.
Ndërkohë, që një ditë më parë edhe prezenca e OSBE-së në Tiranë konfirmuan se ekspertët e saj nuk kanë marrë pjesë në grupin e punës i cili hartoi draftin e ri me ndryshimet.