Pasi iu vu “fshesa” të vjetërve, prezantohen administratorët e rinj në Fier

Ditën e sotme në ambientet e Bashkisë së Fierit u bë prezantimi zyrtar i administratorëve të rinj të njësive administrative të qytetit.
E pranishme në këtë takim mësohet të ketë qenë edhe zv. kryeministrja Belinda Balluku si dhe deputetët Antoneta Dhima, Ceno Klosi dhe Ramion Kurti.
Burime për mediat bëjnë me dije se përgjatë prezantimit të administratorëve të rinj, kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi vuri theksin te bashkëpunimi, duke shtuar se Bashkia dhe Njësitë Administrative duhet të punojnë ngushtë me njëra-tjetrën me qëllim realizimin e projekteve në qytet dhe zonat përreth.
Gjithashtu, edhe zv. kryeministrja dhe njëherësh ministrja Balluku theksoi rëndësinë e përfshirjes së burimeve të reja njerëzore në administratën vendore, si një hap i rëndësishëm për të forcuar shërbimin ndaj qytetarëve dhe për të rritur efikasitetin në zgjidhjen e problemeve të komunitetit.
Dorëheqja e drejtorëve të Bashkisë së Fierit, por edhe të administratorëve erdhi në kuadër të operacionit “fshesë” të ndërmarrë nga kryeministrit Edi Rama në ditët e para të korrikut.
Ashtu sikurse dhe në bashkitë e tjera të vendit, edhe ata të Fierit zbatuan urdhrin e prerë nga kreu i qeverisë. Vendim i cili erdhi nga ky i fundit për shkak të nevojës për energji dhe prurje të reja në administratë, si e vetmja mënyrë për t’u qasur sfidave të kohës.