VIDEO/“Ndalohet martesa me zor!”, Berisha bie pre e memes në internet: Nënat tuaja mund të shkojnë në burg nëse iu thonë ‘ju iku koha’

Prej ditësh në internet është duke qarkulluar një nen i cili nuk ekziston në draftin e Kodit të ri Penal. Neni “Ndalohet martesat me zor”, është kthyer në meme në rrjet, ndërkohë që ish-kryeministri Sali Berisha e ka marrë së fundmi atë si të mirëqenë.
Në konferencën e tij për shtyp, Berisha u ndal te drafti i Kodit të ri Penal, për të cilin tha se është hartuar me urdhër të kryeministrit Edi Rama i cili ka për qëllim vetëm të burgosur qytetarë.
I pyetur më tej nga gazetarët se çfarë mendimi ka për këtë draft, Berisha mori si shembull nenin “martesa me zor”, në nen i cili vlen të theksohet që nuk ekziston dhe është shpërndarë në rrjet në kuadër të batutës.
“Ju jeni me fat se jeni të martuar, por në qoftë se do kishit qenë beqare, nënat tuaja do mund të shkonin për ndjenjat, sentimentet më të dashura për ju, për të ardhmen tuaj, mund të shkonin në burg deri në 3 vite në qoftë se guxonin t’ju thonin ‘bijë e nënës koha është për t’u martuar, nëna do të të shohë çift’. A mund të imagjonin ju deri ku shkon ky?
Dhe kjo quhej martesa me zor, është e shkruar e kam këtu nenin. Në qoftë se i thuhet “po të ikën koha”. Çfarë tregon kjo? Kjo tregon atë mani të turpshme e të neveritshme si e si të mund të burgosësh të tjerët. A mund të vihet një nen i tillë”, tha Sali Berisha, i cili mesa duket ka rënë “pre” e këtij të ashtuquajturi neni.
“Martesa me zor”, nuk ekziston dhe mund të verifikohet lehtësisht në Draftin e publikuar nga vetë Ministria e Drejtësisë.
Ishte gazetari Isa Myzyraj ai i cili e “hartoi” këtë nen si një formë ironie për draftin e Kodit të ri Penal, i cili ka ngjallur mjaft debat përgjatë ditëve të fundit.
Madje vetë Myzyraj përmes një postimi në rrjetet sociale sqaroi një ditë më parë se ky nen nuk ekziston.
“SQARIM I DETYRUAR! Jam tërësisht I keqardhur që një ironi e imja në profilin personal në INSTAGRAM, është bërë objekt lajmi, madje duke u komentuar edhe nga profesionistët si “fakt i kryer” Neni 15023 mbi “martesën me zor” NUK EKZISTON në Kodin Penal, por ai “është hartuar” nga unë kryesisht për ironi me shoqërinë time, në një rrjet social që shumicën e kohës e përdor vetëm për Isën dhe që nuk ka lidhje me punën time.
Shumica e kanë kuptuar si ironi, qartë, por vërej me shqetësim që këtë e kanë marrë seriozisht një pjesë tjetër. Gjithsesi, mësimi është shumë i vlefshëm: Dezinformimi merr përmasa shqetësuese jashtëzakonisht shpejt, dhe del jashtë kontrolli me ose pa dëshirën tëndë. Verifikimi i burimeve është gjithmonë i rëndësishëm”, shkruan Myzyraj në postimin e tij.