Ndryshon vendimi pas presionit të banorëve. Në hotele deri në sigurimin e banesës me qira

Autoritetet vendore dhe qendrore janë tërhequr nga vendimi për të larguar nga hotelet e Shëngjinit banoret e Thumanës, të cilët kanë ngelur të pastrehë pas tërmetit të 26 nëntorit. Afati për të qëndruar në hotele ishte deri në datë 3 janar, për të kaluar më pas në banesat me qira, që do të subvencionohen nga shteti.
Por duke qenë se jo të gjithë kanë gjetur banesat me qira, vendimi për qëndrimin e tyre në hotel është shtyrë. Nga një mijë banorë që ndodhen në hotele në Shëngjin, 120 prej tyre që kanë plotësuar procedurat u ishte kërkuar që nesër të dilnin, por ata kanë bërë rezistencë duke mos pranuar. Përballë kësaj situate, kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi, sipas banorëve ka qenë mbrëmë në hotel ku janë vendosur në Shëngjin duke u garantuar se do të vijojnë që të qëndrojnë deri kur të gjejnë shtëpitë me qira.
Konfirmimi ka ardhur nga vetë banoret të cilët për Report Tv shprehen se kanë marrë premtimin nga kryebashkiaku se do të qëndrojnë në hotele deri në sigurimin e banesave me qira. Por sipas banorëve sigurimi i banesave është një mision i vështirë, pasi tregu i qirave është rritur. Qiraja e miratuar nga bashkia është 3 mijë lekë për person në muaj. Ata i kanë kërkuar kryetarit të bashkisë që të rishikojë vendimin, ndërsa kanë marrë miratimin e tij. Përpos çmimit problem është edhe gjetja e shtëpive me qira.
Njëra prej banoreve, Dava Gjergji tregoi bisedën me kryetarin e bashkisë dhe premtimin që morën nga ai. “Mbrëmë kryetari i bashkisë na tha, mundohuni gjeni banesën dhe merrni bonusin. Nuk kam mundësi, i thashë edhe kryetarit, nuk kujt me i shkuar brenda. Jam tetë vetë nuk kam kujt me i shkuar brenda me vdekur. Nuk ka thënë kush për të dalë nesër, nuk na kanë caktuar një ditë. Fillimisht na thanë me firmosur një bonus për të dalë, nuk kishim informacion të saktë, kryetari na e bëri më të qartë, na tha bonusi nuk është sa u kanë thënë, por do të jepet sipas anëtarëve të familjes dhe sipas metrave të banesës që keni pasur. Vështirësia ime është se nuk mundem me gjetur banesë vetë” tha ajo.
Nga ana tjeter, murgesha Mariglena Gjoni e cila po asiston si psikologe thotë se gjendja e këtyre banore është shumë e rëndë, madje ka dhe prej atyre që kanë menduar ti japin fund jetës. “Ajo që shoh është jo thjeshtë shkatërrimi i një shtëpie, por i një shprese, nuk dinë ku do të gdhihen. Banorët e Thumanë janë problem, pasi kanë edhe traumën e personit të vdekur, të familjarëve, etj. Por edhe të tjerët nuk janë më pak. Fëmijë, adoleshente, janë me rrezikshmëri të lartë për vetëvrasje.
Disa më kanë thënë kam tentuar të vras veten disa herë. Është një problem jo pak i vogël, për të thënë dramatik është pak. Kush dëgjon, të vendosë dorën në zemër. Thirrje shtetit dhe qytetarëve; mos ngrini idenë se sa do të marr për qiranë, mos përfitoni nga situata. Duhet të vendoseni në vendin e tyre, ku i dihet si vjen fati nesër. Ju lutem dëgjoni ankthin dhe britmën e tyre” thotë motër Mariglena Gjoni.