Mposhti tri herë kancerin, boksieri Shqiptar është shembull për të sëmurët e tjerë

Boksieri Florim Xhabiri është shembull për shpirtin e tij luftarak. Ai ka mposhtur tri herë sëmundjen e kancerit, derisa është sfiduar edhe me vdekjen e babait të tij dhe me vdekjen e motrës po nga kjo sëmundje. Ai sot mundohet t’u japë vullnet të gjithë atyre që janë të prekur me sëmundje të rënda

Pavarësisht se u ballafaqua me sfida të shumta, Florim Xhabiri nga Ferizaj e deshi shumë jetën dhe nuk u dorëzua kurrë para saj. As vështirësitë e shumta që ia solli ajo nuk arritën ta përkulnin atë e nuk ia shuan shpresat se një ditë do të bëhej mirë. Xhabiri që në moshë të re ishte diagnostikuar me tumor në kokë, sëmundje të cilën tashmë ka arritur ta mposhtë për të tretën herë. Edhe pse jeta e përplasi në fatkeqësi të shumta, ato e bënë edhe më të fortë. Ai tani jeton i lumtur me nënën e tij, me bashkëshorten e me djalin 5- vjeçar dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

Xhabiri, i cili ishte detyruar t’u nënshtrohej disa intervenimeve, të cilat kanë zgjatur deri në 17 orë, ka thënë për “Zërin” se ai është më i fortë se çdo gjë që e godet atë. “Unë kam pasur tumor në kokë. Jam operuar tri herë. Me këtë sëmundje jam diagnostikuar para 16 vjetëve, kur edhe kam pasur operimin e parë. Çdo operacion më ka zgjatur nga 17 orë. Para tre vjetësh më është përkeqësuar shëndeti dhe kam shkuar në Tiranë. Atje mjeku më ka rekomanduar ta fillojë kimioterapinë”, ka thënë ai.

Kjo sëmundje Xhabirit ia ka marrë babanë dhe motrën, e cila kishte qenë vetëm 18-vjeçare kur kishte humbur betejën më kancerin. Porse pavarësisht dhembjeve të mëdha që bart për ta, ai nuk ka lejuar që sëmundja të jetë më e fortë se ai, derisa forcën për gjithçka tani po e gjen te nëna e tij. “Unë nuk kam pasur dëshirë ta dijë se si është sëmundja ime. Nuk kam dashur ta bëj sëmundjen më të fortë se veten. Unë jam më i fortë se gjithçka që më godet, sepse e kam Zotin në krah. Unë kam pasur edhe një motër, por që deshi Zoti dhe e mori në moshën 18-vjeçare nga kjo sëmundje e mallkuar e po ashtu e mori edhe babanë tim. Forcën dhe gjithçka tjetër unë e shoh në sytë e nënës sime, e cila më dhimbset shumë e që për të unë prapë gjej vullnet”, ka treguar ai.

Klinika e Onkologjisë dikur në sytë e tij ishte arkivol

Për shkak të sëmundjes së tij Xhabirit i ishte dashur shumë shpesh të shkonte për trajtim në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Këtë klinikë shpeshherë e ka parë si arkivol. Ai ka treguar se në këtë klinikë është pacient i doktoreshës Fatmire Ademi, të cilën bashkë me stafin tjetër mjekësor e ka falënderuar shumë për ndihmën që ia kanë dhënë. “Ky objekt për mua në fillim ka qenë objekt arkivoli. Sa herë që e kam parë e kam menduar takimin me Zotin. Por unë e kam dashur jetën dhe i kam dalë faqebardhë çdo beteje, qysh i ka hije burrit. Tash po bëhen dy vjet që kam zhvilluar luftë të rreptë me veten. Kurajën e forcën që më ka dhënë Zoti më kanë ndihmuar shumë”, është shprehur ai.

Image
Pavarësisht vështirësive të shumta me të cilat është përballur deri më tani ai ka gjetur kurajën që tërë këto dhimbje t’i kthejë në vullnet. E këtë vullnet tani mundohet t’ua japë edhe të tjerëve, të cilët janë të prekur me sëmundje. “Ne nuk i zgjedhim sëmundjet. Nuk duhet të dëshpërohemi, sepse gjërat ndryshojnë. Nëse nuk keni pasur dështime, nëse nuk keni pasur vështirësi, nëse nuk keni pasur zhgënjime, atëherë nuk keni për të pasur fuqi dhe mëshirë. Këto cilësi sigurohen nga dhimbja dhe vështirësitë. Ju është dhënë dhimbje, sepse jeni mjaftueshëm të fortë për ta përballuar. Ju është dhënë kjo jetë, sepse jeni mjaftueshëm të fortë për të udhëtuar përmes saj dhe për të frymëzuar të tjerët”, është shprehur ai.

As terapitë s’e ndalën nga sporti

As terapitë, që duhej t’i merrte për ta luftuar sëmundjen që kishte, nuk e kishin ndalur Xhabirin të merrej me sport. Ai qysh në fëmijëri ishte marrë me sporte luftarake, kryesisht me karate dhe me boks. Me boks ai edhe ka marrë shumë mirënjohje nga Federata e Boksit për shpirtin luftarak që ka. “Sportin e dua, sepse është diçka që të çlodhë dhe të jep forcë. Me sport luftarak jam marr qysh si fëmijë. Atëherë kam qenë karateist e pastaj jam marrë edhe me fitnes. Unë jam nga Prishtina, por që 5 vjet jetoj në Ferizaj. Nga ajo kohë unë jam marrë me boks, ku trajner kam pasur Besnik Vranovcin”, ka thënë ai.

Vështirësitë në punësim

Pasi ka mposhtur sëmundjen me të cilën ishte diagnostikuar, Xhabiri është shprehur se ka pasur vështirësi në gjetjen e një pune. Ai ka thënë për gazetën se kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i kishte premtuar më herët se do ta ndihmonte në gjetjen e një pune, por që asnjëherë nuk e ka kontaktuar atë më. Ai i ka bërë thirrje Aliut ta ndihmojë tani, sepse e ka të vështirë të gjejë punë në Ferizaj. “Në Ferizaj unë njoh pak persona dhe ata që i njoh nuk po kanë mundësi të më gjejnë një punë. Unë i drejtohem kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliut, që të më punësoj në ndonjë nga institucionet në vend. Ai më ka premtuar para 2 vjetëve, po kurrë më nuk më ka thirrur”, ka thënë ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT