Edi Rama i mahnitur nga protesta për Çlirimtarët, thirrje Kosovës: Miratoni rezolutë për Hagën, menjëherë do angazhohemi ne në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën e zhvilluar sot në Prishtinë, nga veteranët dhe qytetarët e Kosovës, për qëndrimin arbitrar në qeli të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtarëve të Kosovës. Prezenca e madhe ka mahnitur kreun e qeverisë shqiptare.
“Vazhdoj pyes veten pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka ngritur ende zërin përmes një rezolute pa dallime partish, ku të rreshtohen sa e sa shkeljet faktike të normës elementare demokratike të procesit të rregullt ligjor nga ana e Tribunalit të Hagës, ku të drejtat e Hashim Thaçit e shokëve të tij të izoluar nga bota prej vitesh të tëra tanimë, janë shqelmuar si hiçasgjë?!”, shkruan Edi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë ka miqësi të ngushtë me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe vazhdimisht e ka konsideruar, edhe publikisht, të padrejtë izolimin e tij dhe të çlirimtarëve të tjerë. Ai thotë se nëse Kosova e miraton rezolutën, Shqipëria do e mbështesë menjëherë.
“Natyrisht që në rast se Kuvendi i Kosovës do ta bënte këtë rezolutë të vonuar, ne do ta angazhonim menjëherë Kuvendin e Shqipërisë, për ta votuar të njëjtin tekst dhe për ta përcjellë zërin e krejt shqiptarëve në çdo shtet demokratik që e sponsorizon Tribunalin, e që nuk duhet të tolerojë asnjë cënim e jo më asgjësimin e procesit të rregullt ligjor me kontributin financiar të taksapaguesve të vet”, vijon kryeministri.
Mijëra qytetarë protestuan të enjten në Prishtinë “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në protestën, që u organizua nga kategoritë e dala nga lufta, morën pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, por edhe nga vende të rajonit.