Ndahet nga jeta ish-efektivi i Policisë, Adriatik Lapaj kujton takimin e fundit me të: Më njihte që fëmijë, ai përqafim mbeti i fundit

Zurdi Bresho një ish-efektiv i nderuar në radhët e bluve ka ndërruar jetë këtë të enjte. Lajmin e trishtë e ka dhënë kreu i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, i cili përmes rreshtave ka treguar se sa njeri i paqtë, fjalë pak, i qeshur dhe i dashur ka qenë zoti Zurdi.
Me figurën e tij Lapaj tregon se është rritur qysh fëmijë, pasi ka qenë shoku i të atit, po ashtu dhe ai Polic.
Madje, avokati ka treguar edhe për takimin e fundit që pati me të në Sarandë, para zgjedhjeve të 11 Majit, ku mbylli fushatën në qytetin bregdetar si dhe për lulet që mbollën së bashku të cilat tani nuk dihet nëse do të lulëzojnë më pa kujdesjen e ish-policit i cili ashtu si dhe Lapaj thotë i qëndronte mbi kokë.
“Ika në universitet dhe kaluan vite pa e parë. Derisa një ditë, rreth pesë vite më parë, teksa po mbillja lule bukovile në lagjen “Kodër”, dëgjova një zë. Nga ekipi më bënin me shenjë të ktheja kokën. Buzë gardhit të një banese, mbështetur mbi tela, qëndronte një burrë i buzëqeshur.
E njoha menjëherë. Bëmë muhabet dhe mbollëm përpara banesës së tij dy lule. Sa herë shkoja në Sarandë, kaloja e kontrolloja pemët dhe lulet që kishim mbjellë në qytet. Ato që mbolla me Zurdiun ishin të shëndetshme, më të bukura, më të kujdesura… Ai kujdesej për to”, shkruan Lapaj ndër të tjera.
Ndërkohë që ish-efektivi Zurdi Bresho do të përcillet ditën e nesërme 8 gusht për në banesën e fundit. Ceremonia do të mbahet në orën 11:00 dhe trupi i tij do të prehet në varrezat në Nivicë, në fshatin e tij të lindjes.
Reagimi i plotë i Adriatik Lapajt:
SHOKËT E MIRË!
Mora lajmin se z. Zurdi Bresho ka ndërruar jetë. Vetiu më kaploi një trishtim i paqtë. Në çast, dhimbja u përzie me kujtime plot kuptim.
Si çdo fëmijë, edhe unë rendja pas tim eti në vegjëli. Ndër imazhet që më vijnë ndër mend si fotografi, është edhe fytyra e Zurdiut. I qeshur, i dashur. Ishte shoku i babait… të dy nën uniformën e Policisë së Shtetit.
Ika në universitet dhe kaluan vite pa e parë. Derisa një ditë, rreth pesë vite më parë, teksa po mbillja lule bukovile në lagjen “Kodër”, dëgjova një zë. Nga ekipi më bënin me shenjë të ktheja kokën. Buzë gardhit të një banese, mbështetur mbi tela, qëndronte një burrë i buzëqeshur. E njoha menjëherë. Bëmë muhabet dhe mbollëm përpara banesës së tij dy lule. Sa herë shkoja në Sarandë, kaloja e kontrolloja pemët dhe lulet që kishim mbjellë në qytet. Ato që mbolla me Zurdiun ishin të shëndetshme, më të bukura, më të kujdesura… Ai kujdesej për to!
Më 2 maj isha në Sarandë, në takimin përmbyllës të fushatës. Kishte ardhur edhe Zurdiu me shokë. Më përqafoi plot dashuri. Ai më njihte që kur isha fëmijë, aq i vogël, sa kangjellat e portit ku punonte im atë, nuk më ndalonin dot të futesha edhe pa u hapur porta. Ai e dinte sa shumë e vështirë kishte qenë rruga deri aty… Dhe ai përqafim, do të mbetet përqafimi i fundit me një shok të mirë të babait tim.
Prehu në paqe, mik i mirë!
P.s ky status nuk paraqet interes publik, por është homazh për një njeri të mirë, një ish punonjës policie që sot iku nga kjo botë.