Franc Çopja i arrestuar në Belgjikë, zbardhen urdhërarrestet e SPAK: Kush janë trafikantët e grupit nga Elbasani që mbyti Europën me kokainë

Grupi i drejtuar nga Franc Çopja është goditur sërish nga SPAK në një operacion të madh ndërkombëtar, ku janë përfshirë EUROPOL, autoritete nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia.
Hetimet u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC, ku janë zbuluar dërgesa shumë-tonëshe kokainë nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anvers etj.
Masa “arrest me burg” në Shqipëri:
1. Ervis Çela
2. Ardian Çela
3. Petrit Lakatos
4. Renato Mullai
5. Gëzim Çela
6. Mariglen Kamami
7. Elidon Çela
Masa “detyrim paraqitje” në Shqipëri:
8. D.P
9. K.Gj
I arrestuari në një vend të BE-së:
10. Franc Çopja
SPAK thotë se kjo organizatë kriminale operonte në një shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurimit për 9 të hetuar (përfshirë edhe një nga drejtuesit), prej të cilëve 7 me masën “arrest me burg” dhe 2 me masën “detyrim paraqitje”, ndërsa një prej të hetuarve gjendet aktualisht i arrestuar në një vend të BE – së (drejtues i organizatës).
Ndërkohë, në kërkim janë dhe gjashtë shtetas të tjerë, të cilët nuk janë gjetur nga Policia dhe agjentët e BKH-së dhe SPAK thotë se po punohet për ekzekutimin e këtyre masave të tjera, në kuadër të këtij operacioni.