Trafiku i kokainës, SPAK sekuestron “Ajman Park” dhe vilën 1 milion euro në Dhërmi

Hetimi i gjere i SPAK qe gjeneroi 16 urdhera arresti se fundi per akuzat e trafikut te kokaines ndaj grupit kriminal qe kishte lidhje me klanin Copja, ka sekuestruar edhe nje numer te konsiderueshem pronash qe dyshohet se kane lidhje me aktivitetin kriminal.
Në kuadër të këtij operacioni, Gjykata e Posaçme ka vendosur nën sekuestro preventive edhe 14 pasurive të llojeve të ndryshme me vlerë miliona euro që i posedojnë anëtarët e kësaj organizate kriminale.
Mes pasurive të sekuestruara janë edhe resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj të Durrësit, ku përfshihen hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente tregtare
Gjatë aksionit është sekuestruar vila 2-katëshe ELYSIAN në Dhërmi me vlerë 1 milion euro, një tjetër vilë e porositur në Tiranë më datë 6 nëntor 2024, por që nuk bëhet me dije se ku konkretisht.
Resorti “Ajman Park” dhe vila 1 milion euro në Dhërmi janë në pronësi të Julian Balla alias Fadil Balla, president i klubit të futbollit Erzeni, ndaj të cilit ka masë sigurie.
Arrestimet
Në Shqipëri janë arrestuar 7 persona; Ervis Çela dhe vëllai i tij Ardian Çela, Petrit Lakatos, Renato Musa, Gert Çerma, Mariglen Kamami dhe Elidon Çela.
Franc Çopja alias Franc Gegeli, është tashmë i arrestuar në Belgjikë. Me masën detyrim paraqitje në vendin tonë janë Ditjon Pepa nga Elbasani dhe Kujtim Gjyla nga Lushnja.
Dy të arrestuarit që janë lënë me masën detyrim paraqitje, janë shoferët që kanë transportuar paratë për t’i sjellë në Shqipëri.
Në kërkim janë Fadil alias Julian Balla, Miklovan Mullai, Denis Daja, Vilson Pepa dhe Riza Çela.
Sekuestrimet e sasive të kokainës:
Gjatë hetimeve ndërkombëtare, janë identifikuar dhe goditur dy ngarkesa të mëdha kokaine, të transportuara nga Amerika e Jugut drejt Evropës dhe më konkretisht:
Shtator 2020 – Paraguaj → Belgjikë (Anvers)
Grupi i drejtuar nga E.Ç. dhe F. G., në bashkëpunim me një shtetas brazilian, organizoi trafikimin e 11.6 ton kokainë, fshehur në kuti sapuni dhe kuti boje metalike me logon “Fox”. Ngarkesa u nis nga porti i Villeta (Paraguaj) dhe mbërriti në Anvers më 04.11.2020.
Në vijim, gjatë operacioneve të policisë në Roterdam, u sekuestruan 600 kg kokainë dhe 2 milionë euro, si dhe u arrestuan shtetasit shqiptarë M.D. dhe N.B.
Dhjetor 2020 – Shkurt 2021 – Paraguaj → Gjermani (Hamburg)
E.Ç. dhe F.G. organizuan dhe financuan trafikimin e 16.4 ton kokainë, fshehur në bombola metalike me bojë/kollë ndërtimi dhe të stampuara me logo (“sy me rrufe të kuqe”, “Puma”, “shenja infinit”), me vlerë tregu prej 1.5 miliard deri 3.5 miliard euro. Ngarkesa, e shpërndarë në disa kontejnerë, mbërriti në Hamburg më 12.02.2021 dhe u sekuestrua nga autoritetet doganore gjermane.
Tipologjia e organizatës kriminale
Hetimet e kryera në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese partnere dhe analiza e komunikimeve të përgjuara në aplikacionin SkyECC kanë zbuluar një strukturë kriminale të përmasave ndërkombëtare, e udhëhequr nga shtetasit E.Ç. dhe F.G., e cila kontrollonte në mënyrë të plotë zinxhirin e trafikut të kokainës – nga prodhimi, magazinimi dhe përpunimi në laboratorët e Paraguait, transporti ndërkombëtar dhe shpërndarja në tregjet europiane, deri te pastrimi dhe qarkullimi i të ardhurave të fituara.
Ngarkesat e mëdha të kokainës siguroheshin direkt nga prodhuesit nga drejtuesi i organizatës E. Ç. (i cili së bashku me vëllanë e tij A. Ç. ishin vendosur në Paraguai), magazinoheshin dhe bëheshin gati për transport në Paraguai. Lënda narkotike fshihej në mënyrë të sofistikuar në ngarkesa legale – kuti sapuni, bombola boje dhe kollose ndërtimi – të maskuara me marka tregtare si “Fox” apo me shenja të veçanta dalluese si “Puma” ose “sy me rrufe”. Këto ngarkesa transportoheshin me kontejnerë detarë nga portet e Amerikës së Jugut drejt porteve të mëdha evropiane, kryesisht Anvers (Belgjikë) dhe Hamburgu (Gjermani), ku më pas shpërndaheshin përmes rrjeteve të brendshme të tregut të drogës në BE.
Qarkullimi dhe menaxhimi i parave
Hetimi ka treguar se ky grup kishte ngritur një mekanizëm financiar jashtëzakonisht të sofistikuar për të qarkulluar dhe fshehur të ardhurat nga aktiviteti kriminal. Një prej metodave kryesore ka qenë transporti fizik i parave “cash” nga vendet e BE-së drejt Shqipërisë, duke përdorur shoferë autobusësh kryesisht shqiptar të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve. Kjo mënyrë kishte disa përparësi për grupin:
Evitimi i gjurmimit bankar dhe i detyrimit ligjor për deklarimin e burimit të fondeve;
Shmangia e kontrolleve doganore zyrtare, duke përdorur rrugë të shkurtra dhe pikat kufitare më pak të monitoruara;
Siguria përmes rrjetit të besuar të shoferëve, numri i të cilëve ishte i kufizuar dhe i përzgjedhur në bazë të një marrëdhënieje të ndërtuar mbi besimin reciprok.
Shoferët, në këmbim të shërbimit dhe rrezikut të marrë përsipër, përfitonin rreth 2% tarifë mbi shumën e transportuar. Këto pagesa bëheshin drejtpërdrejt nga anëtarët e grupit dhe garantoheshin nga personat përgjegjës për menaxhimin e logjistikës financiare.
Koordinimi i pagesave
Figura kyçe si F.G., E.Ç., si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, luanin rol aktiv në organizimin e këtyre transfertave. Pagesat dhe kompensimet e brendshme shpesh maskoheshin përmes transaksioneve të tjera të fshehta, të dizajnuara për të mos lënë gjurmë në sistemin financiar zyrtar.
Përveç transportit fizik, rrjeti përdorte edhe sistemin informal të transfertave të njohur si “haëala” ose “token”, ku shumat e mëdha qarkullonin përmes një zinxhiri ndërmjetësish pa asnjë evidencë bankare. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve kanalizohej drejt Bolivisë, e cila, për shkak të nivelit të ulët të kontrollit financiar dhe pozicionit të saj strategjik, shërbente si nyje kyçe për përfundimin e transaksioneve ndërkombëtare të parave.
Kombinimi i këtyre metodave, transporti fizik me shoferë të besuar dhe sistemi i transfertave informale, i mundësonte kësaj organizate kriminale qarkullimin e qindra milionë Euro cash, duke reduktuar ndjeshëm riskun e sekuestrimit dhe duke siguruar vazhdimësinë e aktivitetit të tij në shkallë ndërkombëtare.
Prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Vladimir Mara, theksojnë se:
“Kjo organizatë kriminale mund të konsiderohet si një nga organizatat shqiptare më të fuqishme në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Ajo kishte kapacitetin për të ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregjet evropiane dhe për të menaxhuar sasi të mëdha të lëndës narkotike në periudha të shkurtra kohore. Fuqia financiare e lartë e kësaj organizate, strukturimi dhe organizimi i një niveli shumë të lartë si dhe aftësia për të rikuperuar humbjet që vinin nga sekuestrimet e dallojnë atë nga grupet e tjera kriminale të hetuara nga SPAK .”
Pronat e sekuestruara
Me vendimin nr. 543 date 07.08.2025, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin preventiv për gjithsej 14 pasuri të llojeve të ndryshme me vlera disa miliona eurosh, duke përfshirë resorte, vila, apartamente, trualle, automjete dhe kuota në shoqëri, në emër të personave nën hetim si më poshtë:
Resorte turistike:
“A….. PARK” Resort ku përfshihen hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente tregtare, Xhafzotaj, Durrës.
Vila dhe apartamente:
Vilë dy katëshe tip “ELYSIAN”, në bregdetin e Dhërmiut, bashkia Himarë (sipërfaqe totale rreth 378.2 m²), me vlerë tregu prej afërsisht 1.000.000 Euro.
Vilë e porositur datë 06.11.2024, në Tiranë.
Truall, toka dhe ndërtesa:
Pasuri truall dhe ndërtesa në Tiranë, Sharrë.
Pasuri (me status regjistrim të përkohshëm).
Pasuri nr. 349/45 në bashkëpronësi.
Tokë arë me sipërfaqe 5900 m², Sharrë, Tiranë.
Kuota dhe aksione në shoqëri tregtare:
Kuotat/aksionet në shoqëri tregtare, Kavajë.
Shoqëri tregtare, Durrës.
Shoqëri tregtare, Rrogozhinë.
Shoqëri tregtare, Durrës.
Automjete:
Tre automjete.
Sekuestrime gjatë ekzekutimit të vendimeve të kontrollit:
Mbi 111 800 Euro Cash;
4000 USD
880.000 Lekë
Bashkëpunimi ndërkombëtar
Në këtë hetim të rëndësishëm, SPAK ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të shkëlqyer me EUROPOL, Eurojust, agjencitë ligjzbatuese të vendeve të BE-së. Nga partnerët ndërkombëtarë u angazhuan Policia Federale Gjyqësore e Belgjikës, Policia Kombëtare dhe SIRASCO nga Franca, Zyra Federale e Policisë Kriminale dhe Zyra Shtetërore e Policisë Kriminale Karlsruhe nga Gjermania, Policia e Holandës, si dhe Policia e Shtetit dhe Shërbimi për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (SCIP) të shtetit italian. Ky bashkëpunim i ngushtë ndërmjet këtyre institucioneve ishte thelbësor për suksesin e operacionit dhe goditjen e kësaj organizate kriminale me ndikim ndërkombëtar.
Një falenderim i veçantë u drejtohet hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) për punën voluminoze dhe cilësore të kryer si edhe Policisë së Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e masave të sigurisë.