14 vite pa Sabri Godon, politikanin mendjemprehtë dhe “Plakun e Urtë” që i mungon sot Shqipërisë

Sot, më 8 Gusht kujtojmë në ditën e lindjes Sabri Godon, delvinjotin e mirë që i dha Shqipërisë fjalë, ide dhe vizion. I lindur në 1929 në Delvinë, ai u rrit në një familje me rrënjë të thella atdhetarie dhe dashurie për kulturën, të cilat ai trashëgoi dhe i përfaqësoi denjësisht.

Shkollën fillore Sabri Godo e kreu në Delvinë, ndërsa gjimnazin në Tiranë, të cilin u detyrua ta ndërpriste vitin e tretë, pasi u përfshi aktivisht në luftën antifashiste. Për 23 muaj, nga  korriku i vitit 1943 deri në maj 1945, mori pjesë në të gjitha Luftrat e Brigatës VI, në Shqipëri e Jugosllavi, ku u shqua e më pas u dekorua për trimëri te veçantë.

Shërbeu në ushtri si oficer deri në vitin 1948 e më pas u përjashtua si politikisht i padëshëruar dhe 5 vite më pas, në 1953 përjashtohet dhe nga partia komuniste, ku kishte aderuar në shkurt 1944.

Këtu fillon edhe kalvari i tij i periudhës së diktaturës. Për shkak të martesës me një vajzë nga familjet aristokrate dhe të përkatësisë familjare, intelektualë të shquar, kundërshtarë të regjimit, të pushkatuar, të burgosur e të arratisur, jeta e tij ka shkuar disa herë në teh të briskut, deri në prag të burgosjes.

Godo njihet si një penë e rrallë, në romanet me karakter historik, ku më të bujshmet e më të diskutuarat janë “Skënderbeu” dhe “Ali Pashë Tepelena”. Mbi këto figura që i kalonin përmasat e kombit, ai nuk rreshti së kërkuari.

Këto romane janë ripunuar e ribotuar disa herë, janë përkthyer në disa gjuhë dhe vlerësuar lart nga kritika. Si një njohës i thellë i karakterit njerëzor, shkroi me po aq mjeshtëri romanet e novelat mbi luftën, për të cilat u akuzua nga censura e regjimit si shkrimtar i deheroizimit dhe vuajti pasojat.

Në vitin 1974 u perjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve për “devijim nga realizmi socialist dhe u dërgua per rieduki” për 11 vjet (1974 – 1985). Një veprimtari të dendur ka pasur në publicistikë, veçanërisht në revistën “Hosteni”, me mbi katër mijë faqe të botuara me fejtone e shkrime kritike.

U angazhua që në fillim në lëvizjen antikomuniste dhe më 10 janar 1990 formoi Partinë Republikane të Shqipërisë, një parti e djathtë, aleate e Partise Demokratike, qe kishte në themel të programit të saj respektimin e pronës private, familjes dhe bashkimin e kombit.

Për tetë vjet radhazi, Sabri Godo ishte kryetar i kësaj Partie e më pas dha dorëheqjen për t’ju hapur rrugën të rinjve. Sabri Godo ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, 1996-2002 me funksionin e kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme.

Është i pamohueshëm roli i Sabri Godos në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, për të cilën ai luftoi për 22 vjet rresht, nga dita e parë e krijimit të Partisë Republikane deri në ditët e fundit të jetës së tij. Për këtë populli dhe personalitetet e Kosovës kanë shprehur qartazi mirënjohjen. Eshtë i ditur roli dhe lufta e tij për çështjen e popullit çam, per atë të shqiptarëve në Maqedoni, në Serbi e kudo.

Si bashkëkryetar, në hartimin e dokumentit themelor të shtetit, Kushtetutës së Re të Republikës së Shqipërisë të vitit 1998, ai ka luajtur një rol vendimtar. Shpesh emërtohet si Babai i Kushtetutës. Një njeri aktiv në politikë dhe në fushën e letrave, Sabri Godo ka qenë një nga figurat më me rëndësi në jetën politike shqiptare sidomos në momentet e vështira.

Qëndrimet e tij pa mëdyshje në çështjet më delikate dhe të debatueshme, në periudha të ndezura politike, dhe përpjekjet për të gjetur rrugën e arsyes, i çuan njerëzit, mediat e politikanët, ta quajnë “Plaku i Urtë”, epitet që në mënyrën më të plotë do të përmblidhte gjithë jetën e tij.

Në 12 dhjetor 2012 Presidenti i Repubblikës, Bujar Nishani i dha Sabri Godos, pas vdekjes “Urdhrin e Skënderbeut” me motivacionin:

“Personalitetit të shquar të politikës dhe kulturës kombëtare, politikanit të urtë e vizionar, me kontribut të çmuar në proçeset demokratike, shkrimtarit e skenaristit që talentin e vuri në shërbim të popullit e vendit të tij.”

Sabri Godo u nda nga jeta më datë 3 dhjetor 2011, pas një beteje me tumorin në mushkëri. Varrimi u bë me datën 4 dhjetor në varrezat e Tufinës dhe Qeveria shpalli ditë zie kombëtare, kurse institucionet shtetërore dhe publike, ulën flamurin kombëtar në gjysmështizë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT