Nga Diella “shtatzanë” te lufta në Ukrainë dhe projekti i Jared Kushner në Shqipëri, Edi Rama rrëfehet për TV5Monde: Evropa s’ka plan për paqe, diplomacia ka vdekur (INTERVISTA)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë i ftuar në një intervistë për kanalin francez TV5Monde, në kuadër të Forumit të Parisit për Paqen, ku foli për çështje ndërkombëtare, teknologjinë, klimën dhe zhvillimet në Shqipëri.
Gjatë bisedës me gazetarin Mohamed Kassi, Rama u ndal te ndikimi i inteligjencës artificiale në qeverisje, te sfidat klimatike dhe krizat globale, por edhe te procesi i integrimit evropian dhe projektet e investimeve të huaja në vend.
Ai theksoi se diplomacia botërore po përballet me krizë të thellë dhe se Evropa ende nuk ka një plan të qartë për paqen në Ukrainë, ndërsa bëri thirrje për një “rilindje të diplomacisë” përballë “daulleve të luftës”.
Në intervistë, Rama foli gjithashtu për ministren shqiptare të inteligjencës artificiale, Diella dhe iniciativat për modernizimin e institucioneve publike, duke e lidhur teknologjinë me efikasitetin qeveritar.
Sa i përket projektit të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, për ndërtimin e një kompleksi luksoz në një ishull shqiptar, kryeministri konfirmoi se autorizimi ende nuk është dhënë, por se negociatat vazhdojnë dhe projekti po përmirësohet dita-ditës. Sipas tij, nëse realizohet siç është parashikuar, ai do të kthehet në “një model të qëndrueshmërisë në Mesdhe”.
INTERVISTA E PLOTË përkthyer nga Newsbomb:
Gazetari: Si mund të rishpikim diplomacinë për ta ndryshuar botën tonë? Kjo është një nga pyetjet e mëdha në qendër të Forumit të Parisit për Paqen. Kjo është dita e dytë e diskutimeve, e ngjarjeve dhe e shkëmbimeve. Shumë drejtues janë të pranishëm në këtë forum, duke filluar me Edi Ramën, i cili është i ftuari ynë. Mirëmbrëma, mirë se vini në TV5Monde. Ju jeni kryeministri i Republikës së Shqipërisë. Ju e dini, në këtë forum flitet gjithashtu për inteligjencën artificiale, një teknologji që po përdoret gjithnjë e më shumë në jetët tona, si për mirë ashtu edhe për keq.Dhe ju, zoti kryeministër, në qeverinë tuaj keni një ministre të inteligjencës artificiale. Ajo quhet Diela. Ajo është gjithashtu përgjegjëse për prokurimet publike. Si po shkon ajo?
Edi Rama: Faleminderit që më ftuat. Dua të them që kjo është një javë mjaft e veçantë. E nisa me Mohamedin, Mohamed bin Salman, dhe tani po e përfundoj javën me një tjetër Mohamed, Mohamed Kassi. Jam shumë i nderuar për ftesën tuaj. Unë jam ndjekës i këtij kanali prej shumë kohësh dhe është nder të bisedoj me ju për disa minuta në këtë studio të bukur. Sa për ministren, ajo po punon, është shumë mirë. Ajo është “shtatzënë” me 83 djem e vajza të ardhshëm, të cilët do të jenë “asistentë” të grupit tonë parlamentar për inteligjencën artificiale. Pra, 83 persona që do të kenë për detyrë t’u ndihmojnë deputetëve, t’i asistojë kur janë mungues në seancat parlamentare, për shembull.
Gazetari: Ndër temat kryesore, siç e thashë, janë edhe paqja dhe klima. Si mund të mbrohet planeti, sipas jush? Vendi juaj, Shqipëria, preket nga fatkeqësi klimatike që po ndodhin njëra pas tjetrës. Kështu të paktën thotë Banka Botërore: Shqipëria është ndër vendet më të ekspozuara. Si do të përballeni me këtë problem dhe çfarë propozoni?
Edi Rama: Nuk është vetëm Shqipëria një nga vendet më të ekspozuara përballë kërcënimeve, sepse në fakt, ndaj kërcënimit jemi të gjithë të ekspozuar. Por sigurisht që kërcënimi mund të ndikojë më shumë tek vendet që kanë më pak mbrojtje. Megjithatë, edhe vendet e mëdha, me gjithë mbrojtjen e tyre, nuk po arrijnë të bëjnë shumë. Prandaj duhet të ndryshojmë plotësisht sistemin e mbrojtjes.
Gazetari: Zoti Kryeministër, siç e dini, qoftë për klimën apo për luftërat në Ukrainë dhe Gaza, ka gjithnjë e më pak vend për multilateralizmin. Është ligji i forcës që mbizotëron. Si mund të përmbyset kjo prirje?
Edi Rama: Po, pikërisht ky është problemi. Nëse flasim për paqen dhe zhvillojmë një forum të dedikuar paqes këtu në Paris, atëherë duhet të reflektojmë mbi një fakt shumë të thjeshtë, por shqetësues: Evropa vetë ende nuk ka një “plan paqeje” për luftën në Ukrainë. Kjo nuk do të thotë se ajo që bëjmë në frontin e ndihmës për Ukrainën, apo në frontin e mbështetjes ushtarake të Evropës, nuk është e drejtë. Por kjo nuk mund të jetë e vetmja rrugë, sepse duket sikur diplomacia ka vdekur dhe kanë mbetur vetëm daullet e luftës.
Gazetari: Nevojitet pra një rrugë diplomatike për të dalë nga ky konflikt që zgjat prej gati katër vitesh. Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian në prill 2009. Statusi zyrtar i vendit kandidat u rekomandua vetëm në tetor 2012, për shkak të një demokracie të konsideruar ende të paqëndrueshme. Shqipëria ka bërë përparime. Ku ndodheni sot?
Edi Rama: Jemi në një fazë shumë të avancuar krahasuar me atë që përmendët. Jemi në negociata të plota dhe kemi hapur 5 nga 6 grupet kryesore të kapitujve. Shpresojmë të hapim edhe të gjashtin, që do të ishte një rekord absolut në shpejtësi. Kjo lidhet edhe me faktin që Evropa, nga pikëpamja e zgjerimit, që unë e quaj “ripunifikim” , është zgjuar. Dhe kjo, në një farë mënyre, falë edhe luftës në Ukrainë, e cila tregoi nevojën për një Evropë më të bashkuar dhe më të fortë.
Gazetari: Jemi drejt fundit, një pyetje e fundit, ndoshta ajo që “dhemb”. Dhëndri i Donald Trump-it, Jared Kushner, dëshiron të ndërtojë një kompleks turistik luksoz në një ishull të Mesdheut që ndodhet në territorin tuaj, me një natyrë shumë të pasur. Është një nga ishujt më të bukur, një nga pasuritë natyrore më të çmuara të Shqipërisë. A e ka marrë ai tashmë autorizimin nga qeveria juaj?
Edi Rama: Jo ende, por jemi duke punuar, duke negociuar për ishullin, por edhe për projektin në tërësi, që përfshin jo vetëm ishullin, por edhe një pjesë të territorit përballë tij. Dhe mund t’ju them se projekti po përmirësohet dita-ditës. Nëse arrijmë ta zbatojmë ashtu siç e kemi parashikuar, do të jetë një risi absolute në Mesdhe dhe një model për t’u ndjekur nga pikëpamja e qëndrueshmërisë.
Gazetari: Faleminderit shumë, Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, frankofon dhe frankofil. Faleminderit që erdhët.
Edi Rama: Faleminderit juve.
©Newsbomb.al