Edi Rama në zyrë me Ballukun prej 5 orësh, u bashkohet në Kryeministri edhe Ulsi Manja

Kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij Belinda Balluku ndodhen prej 5 orësh në ambientet e Kryeministrisë, menjëherë sapo mediat raportuan se Gjykata e Posaçme kishte firmosur pezullimin e saj nga detyra dhe i ka bllokuar pasaportën.

Deri tani, nuk ka një vendim zyrtar dhe as një reagim nga Kryeministria për këtë pretendim, ndërkohë që këtë pasdite takimit kokë më kokë Rama-Balluku i është bashkuar dhe ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.

Godina qendrore në bulevardin kryesor të Tiranës është sot më hermetike se kurrë, pasi pavarësisht raportimeve, prej andej nuk ka dalë asnjë informacion për lëvizjet që do të bëjë Edi Rama, nëse vendimi i sotëm i GJKKO do të rezultojë i vërtetë.

Janë bërë 5 orë që kur zëvendësja e tij ka hyrë në Kryeministi dhe rreth një orë më parë edhe Ulsi Manja, një njohës i miri i ligjit përpos kohës si ministër i Drejtësisë, por ende nuk ka asnjë reagim.

Belinda Balluku është numri dy i qeverisë shqiptare dhe në mungesë të kryeministrit, ajo ka atributet kryesore të drejtimit të vendit. Përveç propozimeve për ndryshime në kabinet të cilat janë detyrë ekskluzive e kryeministrit, zëvendësi ushtron të gjitha të tjerat.

Sipas ish-ministrit dhe juristit Ylli Manjani, ky vendim i sotëm i Gjykatës së Posaçme nëse do të konfirmohet i vërtetë, është një ndërhyrje e drejtësisë mbi ekzekutivin, një grusht shteti.

“Imuniteti është shpikur si koncept jo për të mbrojtur mbajtësin e detyrës, por për të mbrojtur dhe garantuar pavarësinë e një pushteti ndaj një tjetri. Drejtësia sot ka ndërhyrë brutalisht në pushtetin ekzekutiv. Dhe kjo është e papranueshme”, shkruan ai.

Ndaj, me interes pritet të shihet se çfarë do të vendoset kur takimi Rama-Balluku-Manja të përfundojë dhe rrjedhimisht të kuptohet më shumë rreth atyre se çfarë ata kanë diskutuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT