“Pezullim Ballukut”, Politologu i njohur jep shembuj nga Brazili e deri në Spanjë: Si veprojnë vendet demokratike

Politologu Afrim Krasniqi ka reaguar pas deklaratave të bëra mesditën e kësaj të premte nga kryeministri Edi Rama, i cili për herë të parë komentoi vendimin e GJKKO-së lidhur me pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar si rastin “unikal në Europë”.
Teksa ka sjellë shembuj në vendet demokratike, Krasniqi thekson se realiteti në to është krejt e kundërta. Sipas tij zyrtarët e lartë të cilët përballen me akuza dhe masa sigurie largohen vetë nga detyra, pa pritur vendime politike.
Krasniqi shkruan se vende me standarte më të larta të shtetit të së drejtës, si Brazili apo Spanja, kanë pasur raste kur zyrtarë të lartë, madje edhe presidentë e kryeministra, janë pezulluar ose kanë hequr dorë nga funksionet për shkak të hetimeve.
“Ja p.sh., Brazili ka indeksin e shtetit së të drejtës 10 pikë më të lartë sesa Shqipëria dhe aty ka pasur raste të njëjta për zyrtarë të lartë, në Ekuador, një vend me nivel pak më të ulët sesa Shqipëria në indeks, është shkarkuar në detyrë zv/presidenti i zgjedhur me një vendim gjyqësor; në vende të tjera ka ndodhur të shkarkohen zyrtarë edhe më të lartë, përfshirë presidentë e kryeministra.
Në një vend të BE, si Spanja, kryeministri pezulloi funksionet e tij për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, në republikat baltike me nivel shumë më të lartë demokracie sesa ne, rasti i fundit është pezullimi i një deputeti nga gjyqtari”, shkruan Krasniqi, teksa ndër rreshta thekson se në asnjë vend demokratik vendimet gjyqësore nuk konsiderohen “grusht shteti”, përkundrazi, moszbatim i tyre sipas tij shihet si akt kundër shtetit.
Mesditën e sotme, kryeministri Edi Rama u shpreh për herë të parë për vendimin e Gjykatës së Posaçme që pezulloi nga detyra zv. kryeministren dhe njëherazi ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
I pari i qeverisë theksoi se e mbështet pavarësinë e gjyqësorit, njëjtë sikurse të ekzekutivit, që për këtë do të shihen në Gjykatën Kushtetuese.
“E thënë drejtpërdrejt ne nuk mund ti përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë arbitraritet, as do të angazhohemi largqoftë në një betejë politike retorike me drejtësinë. Por, do vazhdojmë me durimin tonë strategjik, do ta respektojmë vendimin e pezullimit të ministres dhe ndërkohë do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të qeverisë vetëm tek drejtësia në Gjykatën Kushtetuese”, tha Rama.
Reagimi i Afrim Krasniqit:
“Ky është një rast unikal në historinë e Europës dhe po ashtu dhe në historinë dhe trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e ku nuk ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverise”, thotë piktori ynë kryeministër.
Ky ishte konkluzioni i 6 orëve debat dje në zyrën e tij. Është i njëjti kryeministër që shkarkoi një zv/ministër sepse doli në foto në US duke pirë cigare në një lokal dhe një tjetër zv/ministre sepse një anëtar i familjes nuk kishte paguar energjinë elektrike për dy muaj.
A mund të shkarkohet një zyrtar i lartë i zgjedhur / në kabinet nga Gjykata? Në Europën Perëndimore ka standard tjetër: asnjë zyrtar i lartë nën akuzë dhe masë sigurie nuk vonon, por jep menjëherë dorëheqjen. Kështu që duhen kërkuar vende “si Shqipëria” për të krahasuar.
Ja p.sh., Brazili ka indeksin e shtetit së të drejtës 10 pikë më të lartë sesa Shqipëria dhe aty ka pasur raste të njëjta për zyrtarë të lartë, në Ekuador, një vend me nivel pak më të ulët sesa Shqipëria në indeks, është shkarkuar në detyrë zv/presidenti i zgjedhur me një vendim gjyqësor; në vende të tjera ka ndodhur të shkarkohen zyrtarë edhe më të lartë, përfshirë presidentë e kryeministra. Në një vend të BE, si Spanja, kryeministri pezulloi funksionet e tij për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, në republikat baltike me nivel shumë më të lartë demokracie sesa ne, rasti i fundit është pezullimi i një deputeti nga gjyqtari.
Ka raste e raste, – por parimi i demokracisë kudo në botë është i njëjtë: asnjëherë dhe në asnjë rast një vendim gjyqësor nuk është quajtur “grusht shteti”, e kundërta, moszbatimi i vendimeve të gjykatave është konsideruar akt kundër shtetit.
Zyrtarët e lartë të akuzuar për korrupsion kanë detyrime etike, politike dhe institucionale edhe kur ato janë zv/kryeministra të Shqipërisë: japin dorëheqje, përballen me drejtësinë. Praktika, sipas të cilës dorëheqja refuzohet, përdoret qeveria e shteti kundër prokurorit/gjykatësit dhe refuzohet zbatimi i vendimit gjyqësor, – ka pasoja thelbësore në cilësinë e shtetit dhe demokracisë dhe në aspektin kushtetues, mund ta çoj në një pozitë jo kushtetuese të vetë organit vendimmarrës, kryeministrit apo qeverisë. Cilido që ka këshilluar ndryshe, vetëm sa ka menduar me llogarinë afatshkurter të forcës “83 mandate” jo me logjikën kushtetuese, pasojën afatgjatë dhe konceptin e shtetit të së drejtës.