Nuk po kapitullon Ukraina. Po kapitullon Perëndimi para një krimineli

Nuk po kapitulon Ukraina. Po kapitulon Perëndimi para një krimineli jo vetëm të luftës.

Nënshkruesi i kapitulimit: presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Çfarë dallimi me datën 24 mars 1999.

Nuk po përkrahet viktima – si më 1999 -, por po shpërblehet agresori. Me qilim të kuq. Madje.

Pyetja nuk është sa i kushton Perëndimit liria e një vendi, por sa kushton një vend? Asgjë! Ose: një vend i trajtuar si patundshmëri.

Një vend që po hyn në dimrin e katërt të betejës për mbijetesë përballë terrorit rus po i hidhet para këmbëve një fashisti.

Europa? Nuk është askund. Presidenti ukrainas gjendet para dilemës: nënshkruaj dhe dorëzohu brenda një jave ose vazhdo luftën me rrezikun që fashisti të synojë edhe njëherë pushtimin e Kievit dhe mbarë Ukrainës.

Sepse edhe populli më liridashës lirinë nuk mund ta mbrojë pa armë. Nga ky popull po kërkohet të heq dorë nga dinjiteti, nga sovraniteti, nga territori.

Sa shumë i ka duartrokit Perëndimi këtij populli qe 4 vjet. Dhe në fund: natën e mirë. (Enver Robelli)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT