“Ke bllokuar gjithë vendin me këtë që bëre”! Çfarë i tha Balluku gjykatësit Çela në seancë, si u mbrojtën vartësit

TIRANË – Belinda Balluku, mbërriti në Gjykatën e Posaçme për verifikimin e kushteve të masës së sigurisë, pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shteti, 7 minuta para orës 09:00 kur ishte parashikuar nisja e seancës.

Më shumë se 20 minuta para orarit në gjykatë u paraqitën në shoqërinë e efektivëve të rendit, vartësitë e saj, kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe ai i KESH-it, Erald Elezi, për të cilët gjykata nuk ndryshoi vendim dhe i la në masë “arrest shtëpie”.

Që në fillim mbrojtja kërkoi kohë për njohjen me aktet, kërkesë që gjykata e pranoi dhe shtyu seancën për 2 orë. Këto minuta, Balluku vendosi t’i shpenzojë duke u larguar nga gjykata.

Zv/Kryeministrja e pezulluar nga detyra, në çdo rast nuk i përgjigj interesit të lartë të medias dhe mbeti e heshtur.

Pas rinisjes, më shumë se 3 e gjysmë nuk mjaftuan që ajo dhe mbrojtësit e saj të bindin gjykatën se masa ishte e paligjshme. Në dalje, nuk pranoi të komentojë vendimin e gjykatës.

Por brenda sallës së gjyqit, ku gjyqtari Erion Çela nuk ndryshoi asgjë nga ajo që firmosi më 19 nëntor, Belinda Balluku tentoi të bind për të kundërtën, gjatë tentativës për të argumentuar se masa ndaj saj ishte e jashtëligjshme. Balluku ka pretenduar në seancë se ka pozicion kushtetues dhe sipas saj nuk mund të pezullohet nga GJKKO, duke theksuar se me një masë të tillë ndaj të marrë ndaj saj është bllokuar i gjithë vendi.

“Si është e mundur që unë, një funksionar kushtetues, të pezullohem kur Kushtetuta nuk parashikon pezullim për funksionarët si unë, për të cilët dihet qartë si emërohen dhe si shkarkohen? Ju keni bllokuar të gjithë vendin me këtë veprim që keni kryer. Mesazhet në WhatsApp janë nxjerrë jashtë kontekstit; unë kontrolloj mbarëvajtjen e punës, nuk i them askujt “ishalla mos fitojë filani, mbaje mend”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, vartësitë e saj në “arrest shtëpie” pretenduan se nuk kishin kontakt me Ballkun pasi në kohën që dyshohet se janë kryer komunikimet, nuk kanë qenë drejtues.

Gjykata e Posaçme, në vendimin e firmosur në datën 19 nëntor argumenton se masa pezullim nga detyra nuk ka ndalim për funksionin e saj si zv/Kryeministre apo ministre e Infrastrukturës, dhe si e tillë mund të merret. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur, deputetë, kryetar bashkie dhe anëtarët e këshillave bashkiakë, gjë që në këtë rast Belinda Ballukut nuk i cenohet detyra e saj si deputete dhe mund ta ushtrojë funksionin e saj në Kuvendin e Shqipërisë.

Belinda Balluku Balluku u mor e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht, por dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës. Gentian Gjyli dhe Erald Elezi akuzohen për shkelje të barazisë në tendera për ndërtimin e tunelit të Llogorasë. Elezi është i dyshuar edhe për tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT