“Ajo zemra jote e vogël…” Fjalët e Trump si ultimatum dhe tallje për Zelenskin dhe pyetja: A mundet BE të mbrojë Ukrainën

Nga Migena Aleksi

CNN shkruan se raportimet “për zbutje” nuk janë shumë reale dhe se presidenti amerikan Donald Trump tashmë i ka dërguar një sinjal të qartë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për 28 pikat: Pranoji, ose Ukraina do të përballet vetëm me pasojat e luftës.

Sipas një analize të CNN, plani 28-pikësh  i është paraqitur Kievit me një kërcënim të nënkuptuar nëse nuk pranohet. Kjo nismë sugjeron një qasje shumë më të ashpër ndaj Ukrainës.

Ndërkohë fjalët e Trump ndaj Zelenskyt “can continue to fight his little heart out” kanë bërë xhiron e globit. Ky ultimatum i mbuluar me tallje në shqip mund të përkthehet: “Zelensky mund të vazhdojë të luftojë me atë zemrën e tij të vogël”.

Këto fjalë janë qartësisht cinike dhe patronizuese. Trump i drejtohet presidentit ukrainas me një përçmim të maskuar si “kompliment”, duke minimizuar qëndresën e Ukrainës.

Përdorimi i fjalës “little” (e vogël) e bën frazën të tingëllojë si nënvlerësim ose përqeshje, duke e paraqitur Zelenskyn si të pafuqishëm ose naiv në përballje me realitetin brutal të luftës pa mbështetje të jashtme.

Kjo retorikë është tipike për stilin e Trump: provokues, i ngarkuar me mesazhe të dyfishta dhe i dizajnuar për të ushtruar presion psikologjik publikisht – thonë analistët.

Gjithsesi, pa mbështetjen e SHBA, Ukraina do ta kishte jashtëzakonisht të vështirë të vazhdojë luftën në të njëjtin nivel. SHBA ka qenë donatori më i madh i armëve, municioneve të avancuara, sistemit HIMARS, mbrojtjes ajrore Patriot etj. Humbja e këtij burimi do krijonte boshllëk të madh.

Fondet amerikane kanë ndihmuar në mbulimin e buxhetit të Ukrainës, duke ruajtur funksionimin e shtetit në kohë lufte.

Edhe BE ka ofruar ndihmë të madhe, por është më e fragmentuar politikisht dhe më e ngadaltë në vendimmarrje. Gjermania, Franca dhe Britania mund të shtojnë mbështetjen, por kapaciteti ushtarak europian është më i kufizuar se ai amerikan.

Europa mund të luajë rol më të madh, por nuk mund ta zëvendësojë plotësisht SHBA-në pa një riorganizim serioz të kapaciteteve të veta. Nëse SHBA tërhiqet, Ukraina do të duhet të bëjë kompromis ose të përballet me një luftë që do bëhet shumë më e vështirë. E ndoshta e pamundur./dita

Back to top button
LAJMET E FUNDIT