I akuzuar për torturime të ish-kundërshtarëve politikë të Berishës, Britania në kërkim të ish-drejtorit të SHIK! Ku është parë për herë të fundit Ilir Kumbaro?

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Shqiptar (SHIK), Ilir Kumbaro, prej dhjetorit 2011 është shpallur në kërkim nga autoritetet britanike i dënuar me 15 vite burg në mungesë për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës. Kumbaro iu arratis drejtësisë britanike në ditën kur do të mësonte dënimin dhe do të ekstradohej në Shqipëri, teksa ishte i liruar me kusht.

Që prej asaj kohë, askush nuk di të thotë se ku ndodhet Ilir Kumbaro, i akuzuar për torturimin e kundërshtarëve politikë të kryeministrit të kohës, Sali Berisha. Ndërkohë sipas mediave britanike, Kumbaro mund të ketë dalë dhe jashtë territorit anglez, të dhëna këto ende të pakonfirmuara.

Gazeta prestigjioze britanike The Telegraph i ka kushtuar një shkrim këtë të diel Ilir Kumbaros. Në këtë artikull, për herë të parë del një dëshmi e një shqiptari të paidentifikuar, i cili thotë se Ilir Kumbaron për herë të fundit e ka parë në vitin 2016 në një supermarket në Cardiff së bashkë me gruan e tij.

Shkrimi i plotë i The Telegraph:

Scotland Yard po u bën thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në gjetjen e një ish-shefi shqiptar të spiunazhit që ndodhet në arrati në Mbretërinë e Bashkuar, i akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e kundërshtarëve politikë.

Ilir Kumbaro po kërkohet  nga Policia Metropolitane prej 14 vitesh, pasi ai u arratis nga Londra ndërsa ishte i lirë me kusht, përpara një seance ekstradimi në dhjetor 2011.

Kumbaro, tani në të 70-at, kërkohet në Shqipëri për urdhërimin e rrëmbimit dhe torturës së tre burrave në vitin 1995, të cilët dyshoheshin se po komplotonin kundër presidentit të atëhershëm, Sali Berisha.

Policia Metropolitane ka lëshuar një apel të ri për informacion në lidhje me Kumbaron përmes organizatës bamirëse Crimestoppers.

The Telegraph mësoi se hetuesit po bëjnë kërkime dhe po ndjekin pista të reja për vendndodhjen e Kumbaros.

Ai u pa për herë të fundit duke bërë pazar në një supermarket në Cardiff me bashkëshorten e tij në vitin 2016, sipas një burimi shqiptar.

Rikapja e Kumbaros do t’i sillte një farë qetësimi familjes së Remzi Hoxhës, një biznesmen shqiptar-maqedonas, i cili u rrëmbye në veri të Tiranës më 21 tetor 1995 dhe u torturua në një magazinë, bashkë me Zizo Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, me urdhër të Kumbaros – atëherë shef i shërbimit të inteligjencës të Shqipërisë  (SHIK).

Hoxha, baba i pesë fëmijëve, nuk është parë më kurrë.

I biri, Ardian Hoxha, i tha The Telegraph: “Jemi shumë të lumtur që më në fund autoritetet britanike janë riangazhuar me çështjen e Ilir Kumbaros, personit që rrëmbeu, torturoi fizikisht dhe vrau babain tim.”

Kumbaro iku në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1996 dhe kërkoi azil me emrin e rremë Shaqa Shatri.

Ai i bindi zyrtarët e emigracionit se ishte një refugjat kosovar që po ikte nga persekutimi i Serbisë.

Ministria e Brendshme i dha Kumbaros leje të pacaktuar qëndrimi dhe i lëshoi një pasaportë britanike.

Për 13 vjet, ai jetoi një jetë të dyfishtë në një banesë komunale në Fulham, në perëndim të Londrës, dhe mbijetoi me mijëra paund nga ndihmat sociale.

Policia Metropolitane nisi kërkimin aktiv për Kumbaron në qershor 2008, pas një kërkese nga autoritetet shqiptare.

Mashtrimi i tij mori fund kur ai tërhoqi vëmendjen e detektivëve duke përdorur, në mënyrë të pashpjegueshme, emrin e tij të vërtetë për të kërkuar përfitime të tjera për depresion dhe çrregullim post-traumatik.

Më 2 shtator, detektivët e njësisë së ekstradimit të Scotland Yard, të udhëhequr nga detektiv sergenti Peter Rance, arrestuan burrin që prezantohej si z. Shatri në banesën e tij në Fulham.

Kur u vu në pranga, Kumbaro thuhet se u ka thënë oficerëve: “Nuk jam Ilir Kumbaro, jam Shaqa Shatri” dhe se të tjerët në banesë ishin kushërira e tij, Naxhie Axemi, dhe një mik mashkull i quajtur Ervin Kumbaro (i biri).

Kumbaro duhej të paraqitej në gjykatën e magjistratëve të Ëestminster më 1 dhjetor 2011, por ai u arratis ndërsa ishte me kusht përpara seancës së ekstradimit dhe mendohet se është fshehur mes miqve në Mbretërinë e Bashkuar jashtë Londrës.

Ardian Hoxha tha: “Ne e kishim humbur besimin te sistemi i drejtësisë së Britanisë së Madhe, por duket se ende ka individë të nderuar që duan të shohin drejtësinë të vihet në vend.

“Nëse autoritetet britanike vërtet duan ta gjejnë Ilir Kumbaron, mund ta bëjnë shumë lehtë, pasi fëmijët dhe familja e tij jetojnë në Londër, dhe ka shumë mënyra për ta gjurmuar, lokalizuar dhe sjellë para drejtësisë.”

Në vitin 2012, ish-gjykata e krimeve të rënda në Tiranë e dënoi Kumbaron në mungesë me 15 vjet burg për rrëmbimin dhe torturimin e Hoxhës.

Misteri rreth zhdukjes së Hoxhës është thelluar pas një sërë vdekjesh të atyre më të lidhur me rastin.

Bashkim Gazidede, ish-kreu i SHIK-ut dhe personi që urdhëroi marrjen në pyetje, vdiq në Turqi në vitin 2008.

Budjon Meçe, një ish-oficer i SHIK-ut që, sipas prokurorisë, torturoi personalisht Hoxhën në Lezhë, vdiq në Tiranë në vitin 2018.

Xhevat Hana, ish-prokurori që hetoi rrëmbimin dhe këmbënguli në ekstradimin e Kumbaros, vdiq papritur në një spital italian në vitin 2012.

John Jones, ish-avokati mbrojtës i Kumbaros, vrau veten në Londër në vitin 2016.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT