Edi Rama nuk e përfshiu në listat e 11 Majit, mjeku Kristo Papa gjen “strehë” te “armiku” i shqiptarëve në Britani, i bashkohet partisë së Nigel Farage

Mjeku kardiolog, Kristo Papa, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Londër, ka vendosur që të bëhet pjesë e politikës angleze.
Papa, i cili u përfshi në pranverën e këtij viti në “Akademinë Politike të Partisë Socialiste”, me dëshirën dhe ambicien për t’u bërë kandidat i diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, ka marrë vendimin për t’iu bashkuar partisë së Nigel Farage.
Pavarësisht dëshirës së madhe për të përfaqësuar shqiptarët e diasporës në zgjedhjet parlamentare, emri i Papës nuk u përfshi në listën finale të kandidatëve të Partisë Socialiste, një zhvillim ky i cili nuk ia preu “hovin” për të vazhduar ëndrrën e tij për t’u bërë politikan.
Në vend që të tërhiqej, Papa ka marrë vendimin për t’iu bashkuar partisë britanike të ekstremit të djathtë “Reform UK”, të drejtuar nga Nigel Farage, politikan i njohur ky në Shqipëri për politikat dhe retorikën e ashpër ndaj emigrantëve, veçanërisht shqiptarëve
Vendosja e Papës në krah të Farage ka ngjallur reagime, sidomos duke pasur parasysh përplasjet e mëhershme mes kryeministrit Edi Rama dhe Farages, pasi ky i fundit u shpreh se “burgjet angleze janë mbushur me shqiptarë”.
Pikërisht te ky politikan, të cilin shumë shqiptarë e konsiderojnë “armik” për shkak të deklaratave të tij të përsëritura kundër komunitetit shqiptar në Britani, mjeku shqiptar ka gjetur “strehën” politike pasi nuk u përfshi në listat e Ramës.
Ndërkohë, muaj më parë, emri i Kristo Papës u bë kryefjalë në mediat shqiptare për një akt heroik gjatë një fluturimi nga Tirana drejt Londrës. Një pasagjer kishte shfaqur probleme serioze shëndetësore, dhe ishte mjeku Papa, i cili udhëtonte si pasagjer, ai i cili ndërhyri menjëherë duke i ofruar ndihmën e parë dhe duke qëndruar pranë tij gjatë gjithë fluturimit.
Falë profesionalizmit dhe humanizmit të tij, mjeku shqiptar u vlerësua si hero, duke nderuar figurën e bluzës së bardhë edhe përtej kufijve.