“Si je miku im, do takohemi siç e kemi lënë”, ZBARDHET mesazhi që biznesmeni u dërgoi vëllezërve Duka para se ta vrisnin, atentati i planifikuar në zemër të Tiranës

Detaje të reja janë zbardhur nga dosja në ngarkim të dy vëllezërve Duka të cilët akuzohen për vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi, nëntorin e vitit të kaluar.

Në fashikujt e kësaj dosje është zbardhur dhe një mesazh që Reçi i kishte dërguar ish-policit, Shkëlqim Duka ku i drejtohej me fjalën “miku im” dhe i kërkonte që në takimin e radhës të ishte i pranishëm edhe vëllai tjetër i tij.

“Mirëdita! Si jeni miku im? Sipas dakordësisë të lënë me propozimin tuaj për t’u takuar në datën 3 nëntor, po ju pres për t’ju takuar. Mua më ke gati. E mira është që në takimin e radhës të jeni të dy vëllezërit”, ky ka qenë mesazhi i fundit që Reçi ia ka nisur Dukës në datën 4 nëntor 2024, 10 ditë para vrasjes makabër.

Dhjetë ditë mbas këtij komunikimi mes të dyja palëve ku Shkëlqim Duka i shkruan “takohemi ditën e shtunë ora 11, se jam në punë deri vonë’, biznesmeni Reçi u vra mu në pragun e shtëpisë së tij.

Mëngjesin e sotëm Prokuroria e Tiranës bëri me dije se ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dy vëllezërit Shkëlqim dhe Flojan Duka, të cilët akuzohen për vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi një vit më parë.

Mbi dy vëllezërit Duka, Flojan dhe Shkëlqim Duka, rëndojnë tre vepra penale: “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje e armëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 78/2, 25, 278 dhe 279/1 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve, organi i akuzës pretendon se vëllezërit Duka janë autorët e vrasjes së biznesmenit Reçi, ngjarje e ndodhur fillimisht si tentativë më 8 nëntor 2024 dhe e përfunduar me vrasjen e tij më 13 nëntor 2024.

Prokuroria bëri me dije se konflikti mes palëve kishte nisur prej vitesh për çështje prone. Sipas të dhënave hetimore, vëllezërit Duka zotëronin një lokal që ishte ndërtuar pjesërisht në tokën e viktimës, Eduart Reçit.

Ky i fundit kishte ndërtuar në atë zonë disa objekte banimi dhe biznesi dhe dyshohet se ishte në konflikt të vazhdueshëm me të pandehurit për lirimin e truallit.

Biznesmeni ndër vite kishte ndërtuar në Tiranë dy pallate dhe se disa njësi i kishte dhënë me qira. Por nga hetimet rezulton se mes personave që viktima kishte pasur konflikte për pronësinë ishin edhe dy vëllezërit, njëri prej tyre oficer policie.

Përplasjet kishin nisur mbasi vëllezërit ishin pronarë të një lokali që ishte në kufi me pronën po lokal të viktimës dhe që sipas kqyrjeve kishin pushtuar edhe një pjesë nga toka e biznesmenit. Prokuroria thotë se Reçi kishte kërkuar që ata ta lironin pronën në mënyrë vullnetare. Në këtë klimë krijohet bindja deklaron grupi i hetimit se Shkëlqim Duka në bashkëpunim me të vëllain është në rolin e ekzekutorit.

Për ta kryer vrasjen Duka e mori vendimin me qetësi dhe duke përfshirë dhe të vëllain përgatitën planin. Me saktësi ekzekutori dyshohet se kreu qitje të vazhdueshme në poligon dhe si provë prokuroria përmend jo vetëm disa video duke praktikuar, por edhe biseda në Facebook për dylbi duke u shprehur “jam i interesuar për produkt me gamë zmadhimi 39 herë 40”.

Prokuroria thotë se vëllezërit e zgjodhën vendin prej nga ku qëlluan, përdorën si karrem fishekzjarrë që njëri prej tyre i hodhi në oborrin e lokalit në mënyrë që shënjestra të dilte jashtë dhe tjetri ta qëllonte.

“Personi nën hetim Sh. D. e ka kryer vrasjen e shtetasit E.R. me paramendim për interes pasuror, pra e ka marë vendimin për kryerjen e vrasjes me qetësi së bashku me vëllanë e tij, duke përgatitur së bashku planin kriminal për realizimin e saj. Ai ka parashikuar të gjitha rrethanat për realizimin e vrasjes që lidhen me: përgatitjen për të patur saktësi në realizimin e vrasjes duke bërë qitje në poligon, sigurimin e armës dhe dylbive për realizimin e vrasjes natën dhe në distancë, zgjedhjen e vendit të kryerjes së krimit me qëllim që të realizonte vrasjen dhe të mos ekspozohej, nxjerjen në pritë të viktimës nëpërmjet hedhjes së fishkezjarëve në oborrin e lokalit të tij, kryerjen e krimit me fshehtësi dhe marrjen e masave për t’iu shmangur përgjegjësisë penale“, thuhej ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT