“E shkarkuan mjeshtrat për llogje Kavaje”, gjyqtari Selimi fiton betejën në Straburg, Ylli Manjani kërkon të rikthehet në punë: Mbyllni sqepin tani dhe…

Gjykata e Strasburgut ka hedhur poshtë vendimin e marrë më herët për shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka cilësuar si të padrejtë shkarkimin nga vettingu të Selimit duke theksuar se nuk respektuan standardet minimale të procesit të rregullt ligjor, duke cënuar transparencën, arsyetimin dhe të drejtën për mbrojtje të gjyqtarit.
Sipas Strasburgut, shkarkimi i një gjyqtari të lartë ka pasoja të rënda dhe autoritetet vendase nuk u treguan në nivelin e kërkuar të përgjegjësisë. Në këtë kuadër, u konstatua shkelja e nenit 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata rrëzoi pjesën tjetër të pretendimeve të Selimit për dëmshpërblim, por urdhëroi shtetin shqiptar t’i paguajë atij 6,500 euro brenda tre muajve për kostot dhe shpenzimet gjyqësore.
Ndërkohë lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe avokati i ish-gjyqtarit, Ylli Manjani i cili rithekson se klienti i tij u shkarkua nga vetingu mbi bazën e pretendimeve të pambështetura dhe më pas u vu nën presion penal për vite me radhë, derisa Gjykata e Posaçme e shpalli të pafajshëm.
Ai e cilëson vendimin e Strasburgut si një goditje të fortë ndaj mënyrës se si është zbatuar procesi i vetingut dhe një paralajmërim për institucionet shqiptare që të mos ndërtojnë vendimmarrjen mbi supozime apo thashetheme.
“Gjykata e Strassburg sapo shpalli se shkarkimi i gjyqtarit Selimi është i padrejtë dhe në shkelje të Kushtetutës Shqiptare dhe nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Një shuplakë e fortë dhe e merituar për vettingsat thashethemexhinj, por edhe për shtetin shqiptar që thashethemet i ka ngritur në nivel kushtetues”, shkruan Manjani, duke shtuar më tej se shteti duhet të “lëvizë” dhe ta rikthejë në detyrë magjistratin.
Postimi i Manjanit:
Shkëlzen Selimi, gjyqtar i Gjykatës së Lartë, u shkarkua nga mjeshtrat e vettingut për llogje Kavaje.
Mbi bazën e këtyre llogjeve, ai i vendos në skrutinitet penal absurd për 4 vite me radhë, deri sa gjyqtarja e GJKKO Rudina Palloj, me shumë durim e profesionalizëm e gjeti atë të pafajshëm, me arsyetimin se nuk ka asnjë fakt penal të lidhur me të.
Gjykata e Strassburg sapo shpalli se shkarkimi i gjyqtarit Selimi është i padrejtë dhe në shkelje të Kushtetutës Shqiptare dhe nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Një shuplakë e fortë dhe e merituar për vettingsat thashethemexhinj, por edhe për shtetin shqiptar që thashethemet i ka ngritur në nivel kushtetues.
Urime Shkëlzen Selimit!
Tani shteti të mbyllë spepin dhe të kthejë magistratin në punë se ka nevojë sistemi.