Paqja Fiskale/ 525 milionë eurot që falen nga borxhet e papaguara: Sa firma janë debitore te Tatimet dhe sa te Doganat (TABELA)

Një ligj për “Fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”, i quajtur si “Paqja Fiskale”, po hap një debat të ri në qarqet financiare në Shqipëri.

Sipas fjalës së ministrit Petrit Malaj në komisionin e financave, ligji u vjen në ndihmë rreth 202 mijë tatimpaguesve që nuk kanë shlyer detyrimet tatimore dhe mbi 60 përqind e tyre janë pasivë, i kanë mbyllur bizneset apo janë çregjistruar.

Drafti nuk parashikon fshirjen e borxheve të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Dhe firmat do të përfitojnë për borxhet që kanë deri në 31 dhjetor 2014.

Qeveria pretendon se me këtë paqe fiskale do tu vijë në ndihmë fermerëve. Mendohet se borxhi i përgjithshëm ndaj doganave dhe tatimeve shkon 525 milionë euro, ku për tatimet vlerësohet 260 milionë euro e doganat 266 milionë euro.

Ndërsa në periudhën e mëvonshme, nga 1 janari 2015 deri në 31 dhjetor 2019, Paqja fiskale u jep mundësi bizneseve që kanë borxhe që nëse paguajnë 50% të tij deri në 30 qershor 2026, gjysma tjetër e borxhit do tu falet. Nëse do të duan ta shlyejnë deri në 31 dhjetor 2026 shumën, do të paguajnë 75 përqind të ndarë në pagesa mujore, e 25%  e borxhit do tu falet.

Sipas të dhënave deri më 31 dhjetor 2024, Administrata Tatimore në Shqipëri ka regjistruar:

202,387 tatimpagues me detyrime të papaguara

Shuma totale e taksave të papaguara: 162.5 miliardë lekë (≈ 1.7 miliardë euro)

Detyrimi kryesor: 98.4 miliardë lekë (≈ 1 miliard euro)

Gjobat: 58.1 miliardë lekë (≈ 581 milionë euro)

Kamatat: 7.9 miliardë lekë (≈ 79 milionë euro)

Shpërndarja sipas moshës së borxhit (detyrimet tatimore):

Mbi 10 vjet të vjetra: 29.5 miliardë lekë (18%)

5–10 vjet të vjetra: 75.2 miliardë lekë (46%)

2–5 vjet të vjetra: 32.8 miliardë lekë (20%)

1–2 vjet të vjetra: 10.4 miliardë lekë (6%)

6–12 muaj: 7.3 miliardë lekë (5%)

3–6 muaj: 2.8 miliardë lekë (2%)

Më pak se 3 muaj: 4.2 miliardë lekë (3%)

Këto të dhëna tregojnë se një pjesë shumë e madhe e borxheve tatimore në Shqipëri janë të vjetra dhe me gjasa të paarkëtueshme, çka ka shtyrë drejt kësaj ndërhyrjeje ligjore.

Administrata Doganore

Edhe në dogana situata është e ngjashme:

Shuma totale e borxhit doganor të papaguar (deri në dhjetor 2024): 48.5 miliardë lekë (≈ 500 milionë euro)

Numri i debitorëve: 4,684

Detyrimi kryesor: 13.1 miliardë lekë (27%)

Gjobat: 26.5 miliardë lekë (55%)

Kamatat: 8.9 miliardë lekë (18%)

Sipas moshës së detyrimeve, borxhet doganore më të vjetra se 10 vjet arrijnë në 25.7 miliardë lekë, duke konfirmuar se pjesa më e madhe e borxhit që pritet të fshihet ka qenë inaktive për më shumë se një dekadë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT