VIDEO/ Heshtja pas flamurit, fati tragjik i firmëtarëve të pavarësisë në diktaturë

Kur komunistët erdhën në pushtet në vitin 1944, 31 prej personaliteteve që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë ishin ende gjallë. Ata nuk u nderuan, as nuk u lejuan të shërbenin si ura lidhëse mes historisë dhe së tashmes. Shumë prej tyre u pushkatuan nga diktatura komuniste, të tjerë vdiqën nga torturat nëpër burgje, u mohuan, u zhdukën nga dokumentet, madje edhe eshtrat e tyre u hodhën në lumenj. Pasardhësit e tyre u përndoqën, u burgosën dhe u lanë pa të drejta, duke e shndërruar historinë e 28 Nëntorit në një shfaqje të shfytyruar.

Lef Nosi – Firmëtar i Pavarësisë dhe ministër i qeverisë së parë. U fsheh pas ardhjes së komunistëve, u arrestua më 7 gusht 1945, u dënua me pushkatim më 12 shkurt 1946 bashkë me Harapin e Bushatin. Asnjë krim nuk iu provua. U ekzekutua menjëherë dhe iu sekuestruan pasuria e dorëshkrimet. Edhe firma në aktin e Pavarësisë iu fshi.

Shefqet Daiu – Firmëtar, avokat i Ismail Qemalit. U arrestua në vitin 1945 dhe vdiq në burg nga torturat ose sëmundja.

Sami Vrioni – Firmëtar; arrestuar pas luftës; vdiq në burg.

Qazim Kokoshi – Firmëtar, i internuar më parë nga pushtuesit në Bergamo; u arrestua nga regjimi komunist dhe vdiq në burg.

Qerim Begolli – Pushkatuar nga partizanët jugosllavë në Pejë.

Bedri Pejani – I dorëzuar serbëve, mendohet i helmuar.

Zihni Hamzaraj Kanina – Arrestuar në 1951, torturuar në hetuesi, dërguar në Burgun 313, vdiq më 1959.

Të dënuar, bashkë me familjet

Sherif Langu – Firmëtar; klerik mysliman. Arrestuar në 1945 si “bashkëpunëtor i Ballit e Legalitetit”; mbijetoi pas 7 vitesh burg në moshë të thyer.

Përndjekja kaloi te familjet e tyre:

Djali i Isa Boletinit – i vrarë me atentat në Shkodër.

Dhëndri i Bedri Pejanit – i pushkatuar.

Djali i Ismail Qemalit – i burgosur; pasardhësve iu mohua çdo nderim edhe pensioni special.

Djali i Shefqet Dajiut – i dënuar me 9 vjet burg; fëmijëve iu ndalua arsimi.

Djali i Iliaz Vrionit – i burgosur.

Shumica e firmëtarëve të mbetur në Shqipëri u dënuan; ata që nuk bashkëpunuan u zhdukën nga jeta publike. Regjimi komunist kujtonte vetëm ngritjen e flamurit në Vlorë, ndërsa firmëtarët e Pavarësisë dhe pasardhësit e tyreu trajtuan si armiq, duke lënë në hije një pjesë thelbësore të historisë së 1912-ës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT