“Mbledhja sekrete” që nxorri bllof Bardhin, ish-ministri i Drejtësisë: Ç’punë ka kjo foto në duart e Gazit? Prokurori të japë llogari

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar pas fotos së publikuar nga Gazment Bardhi ku duken ish-kreu i ARRSH Ervis Berberi, Belinda Balluku dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, me pretendimin se kanë bërë mbledhje sekrete. Por e vërteta është krejt ndryshe, fotoja e cila me zë të madh u tha se është për të thurur “komplote”, rezulton të jetë shkrepur në një aktivitet në Pallatin e Brigadave dhe asgjë s’ka qenë e fshehtë.
Por përtej kësaj, Ylli Manjani ngre alarmin se si kjo foto ka rënë në duart e Gazment Bardhi për sa kohë që celulari i Ervis Bererit ndodhet në duart e hetuesve ndërsa theksoi se përgjegjësia bie e gjitha mbi prokurorin e çështjes.
Sipas Ylli Manjanit, prokurori i cili ka nxjerrë të dhëna sekrete duhet të mbajë përgjegjësi ndërsa shton më tej se Gazment Bardhi nga ana tjetër po mundohet të shuajë mjerimin e humbjes së thellë që mori më 11 Maj në qarkun e Fierit.
“Kjo foto e bërë nga Ervis Berberi, duket qartë që nuk është mjedis shtëpie. Ky mjedis gjendet në Pallatin e Brigadave.
Por pavarësisht kësaj, pyetja themelore që kam është kjo:
Si gjendet kjo foto në dorë të Gazmend Bardhit, nga celulari i sekuestruar e Ervis Berberit?!
Në ç’rrethana ligjore, apo proçedurale kjo foto, e cila nuk është pjesë e asnjë fashikulli gjykimi dhe, nuk gjendet në asnjë dosje të asnjërit prej të pandehurve, ka dalë nga memoria e celularit të Ervis Berberit dhe gjendet në dorë të Gazit?!
Shikoni, kjo foto në vetvete nuk shërben si provë e as si indicie për hetimet që janë në proçes. Ndaj dhe nuk gjendet në asnjë dokument zyrtar të dosjeve me akuzat e bëra.
Kjo foto provon vetëm një gjë: që SPAK nxit drejtësinë popullore dhe politike ndaj personave që ka nën hetim. Huq i përhershëm ky…
Dalja e kësaj foto në publik, përbën akt flagrance ndaj prokurorit të çështjes, i cili duhet të japë llogari për këtë gjë.
Ai është rojtari i të dhënave hetimore. Askush tjetër, përveç atij nuk ka përgjegjësi për nxjerrjen në publik e të dhënave personale të personave.
Gaz Bardhi, i cili kërkon të lajë turpin e dështimit politik për humbjen më të thellë në Fier, është i gatshëm të bëjë lajmësin e SPAK të drejtësisë popullore, qoftë dhe me gënjeshtra. Sidoqoftë përhapësi i të dhënave që i jep SPAK, nuk e bën atë fitues në zgjedhje, por temë tjetër kjo.
Përgjegjës ligjor për nxjerrjen e kësaj foto është Prokurori i SPAK.
Ky nuk është thjesht skandal, por sjellje anti kushtetutë e anti ligj nga ana e prokurorëve.
Kam kohë që e denoncoj këtë fenomen. Kjo e sotmja është provë tjetër e kësaj sjellje dhune ndaj personit dhe drejtësisë.
Kaq”, thuhet në postimin e Manjanit.